Ferma Agroturizëm “Shega” ndodhet vetëm 500 metra pranë pikëkalimit kufitar të Muriqan-Sukobinës, në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi. Ajo u përurua dy vite më parë me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe ambasadës suedeze si mundësi për zhvillimin e turizmit edhe në fshat. Pronari i saj, Ahmet Sulejmani, thotë se vitin e kaluar ferma e tij u vizitua nga një numër i madh vizitorësh nga disa vende të botës, madje edhe nga Australia, por këtë vit situata ka ndryshuar për shkak të pandemisë dhe mbylljes së kufijve.

“Ka qenë një punë e bukur, shkëmbim i kulturave njerëzore. Ata kanë sjellë kulturën e tyre dhe ne kemi bërë gjithçka me dhanë kulturën tonë. Përfundimisht kemi dalë të kënaqun me njëri-tjetrin aq sa më shkruajnë përmes facebookut. Na kanë pyet për tërmetin që ra, për pandeminë nëse jemi prekë në familje. Ndërsa, sivjet shikohet që nuk ka lëvizje. Por ne jemi mësu me këto pauzat e pushimeve dhe shpresojmë të bëhet mirë”, thotë ai.

Edhe vizitorët vendas tani janë të pakët sepse ende, pjesa më e madhe prej tyre, ndjehen të frikësuar nga pasojat e prekjes prej koronavirusit.

“Për disa ekziston frika nga koronavirusi. Por këtu kanë ardhë qytetarë të Shkodrës, jo për turizëm, por për të ble produktet e mija. Vijnë mbasdite, pijnë ndonjë kafe apo pije, sepse një pjesë e madhe nuk i preferojnë lokalet. Këtu i fikin celularët, pysin, dalin, shikojnë dhe kënaqen kur blejnë gjanat e mija. Se i marrin të pastra”.

Fermeri Sulejmani thotë se, që në momentin që u shpall pandemia, ishte e qartë se turizmi do të pësonte goditje, ashtu siç edhe ndodhi. Ndaj ai thotë se, bashkë me familjen, ju kushtuan tërësisht punëve në fermë dhe rezultati ishte i kënaqshëm.

“Unë pak i jam afru televizorit, informacionet i kam të sakta për koronavirusin, por nuk jam trembë, sepse e di që njerëzit duhet të hanë. I sëmurë apo i shëndoshë do të dalësh në pazar për të ble. Kështu që unë i kam kushtu randësi punës dhe prodhimet më kanë dalë herët, ndaj kam pasë sukses. Prodhimet i kam pasë të mira, kështu që mundimi nuk më ka shku bosh. Pavarësisht pandemisë, ne gjetëm tregun, ofrum klientë të mirë dhe kjo për mu ka qenë surprisë”.

Pandemia do të kalojë një ditë, thotë fermeri Ahmet Sulejmani, por e rëndësishme është që ta ruajmë dhe zhvillojmë edhe më shumë agroturizmin, të rrisim kapacitetet dhe të mbajmë lidhje me miqtë tanë, brenda dhe jashtë vendit. Sepse, shton ai, ata do të rikthehen një ditë./Burimi:Zeri Amerikes