Pandemia “shkrin” akulloren vendase

253 0

Në këto ditë të nxehta është shumë e vështirë që të gjesh një produkt ushqimor më veror sesa akullorja, e cila me rihapjen e pastiçerive, lokaleve dhe mundësisë për të shkuar me pushime është kthyer ndër artikujt që pas përfundimit të karantinës, pati rikuperim të shpejtë të konsumit. Pavarësisht rritjes së kërkesës pas hapjes së ekonomisë, aktualisht në tërësi, sektori i akullores artizanale nuk po përjeton rritjen e sezonalitetit krahasuar me periudhën para pandemisë.

Akulloret e prodhuara në vend në 2020 (edhe pse prodhuesit artizanalë ofruan edhe delivery në periudhën e izolimit) janë ulur 8% krahasuar me 2019-n, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Kjo tregon se edhe ky sektor u prek nga kriza e Covid-19. Frika nga infektimet solli rënie të frekuentimeve në pastiçeri dhe dyqanet e akulloreve. Pandemia favorizoi konsumin e akulloreve të importit, të cilat janë të ambalazhuara, mund të blihen në supermarket dhe konsumohen në shtëpi.

Akullorja mund të konsumohet në çdo stinë, por piku i shitjes është në verë. Aktualisht, raportojnë rritje sezonale të konsumit me rreth 25-30% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s kompanitë importuese të akulloreve. Për këtë vit, konsumi i akullores së ambalazhuar vijon të ketë të njëjtën tendencë si në 2019-n. Edhe shumica e pastiçerive që prodhojnë prej 20 vitesh akulloren vendase pohuan se kërkesa është e njëjtë si në 2019-n.

Arsyet e mosrritjes së shitjes së akullores së freskët vendase, ata i lidhin me emigrimin e të rinjve dhe rënien e fuqisë konsumatore, për shkak të krizës nga Covid-19. Një ndër pastiçeritë më të njohura të kryeqytetit pohoi se kërkesa është 25-30% më e ulët se në 2019-n. Për një tjetër prodhues, kërkesa ishte rritur 15% në raport me 2019-n. Kompania, për pak ditë, do të finalizonte edhe hapjen e investimit të ngritjes së një pike të re të prodhimit dhe tregtimit të akullores.

Tendenca e konsumit

Eva Lako, së bashku me bashkëshortin e saj, prej 20 vitesh drejtojnë dy degët e pastiçerisë “Vittoria” në Tiranë dhe Durrës. Ndër vite, biznesi i tyre është zgjeruar, ndërkohë që po planifikojnë hapjen e një aktiviteti të ri në Tiranë.

Drejtuesja e pastiçerisë “Vittoria”, znj. Eva Lako, pohon se aktualisht parapëlqehet konsumi i akullores artizanale në shtëpi. “Janë të shumtë klientët tanë që vijnë dhe e blejnë akulloren në paketim familjar, pasi zgjedhin ta konsumojnë në shtëpi më shumë sesa të ulen në pastiçeri. Vihet re që nuk është frika e infektimit nga Covid-19, ajo që ka tkurrur frekuentimin në pastiçeri, por për ta është më e leverdishme dhe e përshtatshme, që ta konsumojnë akulloren në mjediset e shtëpisë”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë për prodhimin dhe Drejtoria e Doganave për importet, për vitet 2013-2020, shqiptarët kanë konsumuar mesatarisht, nga vit në vit, 4,000 deri 5,000 tonë akullore. Konsumi më i lartë është te akullorja e ambalazhuar e importit sesa ajo e prodhuar në vend. Në 2020-n, importet zënë 76% të totalit të konsumit të akullores. Tendenca është e njëjtë në shtatë vitet e fundit. Raporti është përmbysur vetëm në 2014-n, ku prodhimi vendas zinte 55% të totalit të konsumit.

Efektet e pandemisë

Në karantinë, shumë prodhues të akullores vendase, për të mbijetuar u detyruan, për herë të parë, të nisnin një shërbim të ri të shitjes së këtij produkti që nuk e kishin zbatuar në parë. Kriza e Covid-19 nxori në pah nevojën e disa bizneseve për t’u përshtatur me shërbimin delivery. Pas hapjes së ekonomisë, prodhuesit e akullores vendase u përballën me rritje të kërkesës.

Arsyeja ishte rihapja e pastiçerive, dyqaneve dhe funksionimi i turizmit. Pavarësisht kësaj, prodhuesit pohojnë se vijojnë të ndihen efektet e pandemisë. Eva Lako, përfaqësuese e pastiçerisë “Vittoria”, thotë se kërkesa për akullore është e njëjtë si në 2019-n. “Efektet e pandemisë, ende janë të pranishme. Akullorja shitet më tepër në stinën e verës dhe aktualisht kërkesa është më e lartë krahasuar me 2020-n. Në krahasim me 2019, shitjet sezonale të këtij viti janë të njëjta, nuk ka pasur rritje. Mendoj se kjo ka ardhur për shkak të pandemisë”.

Edhe përfaqësuesi i pastiçerisë “Insean”, Pëllumb Kurti, që ndodhet buzë rrugës kryesore të Gjirit të Lalëzit, e ngritur para 24 viteve,  thotë se kërkesa është e njëjtë si në 2019-n. “Krahasuar me verën e 2020-s, kërkesa për akullore është më e lartë.

Në raport me periudhën para pandemisë, në vitin 2019, kërkesa është stabël, nuk ka shënuar rritje. Mendoj se kjo ka ardhur për shkak të rënies së fuqisë blerëse nga kriza e Covid-19. Numri i konsumatorëve besnikë të akullores artizanale nuk ka ndryshyar. Nuk është rritur numri i konsumatorëve në moshë të re të akullores, pasi pjesa dërrmuese e tyre kanë emigruar jashtë Shqipërisë”, – nënvizon z. Kurti.

Një tjetër pastiçeri në kryeqytet, që preferoi të mbetet në anonim, pohoi për “Monitor” se aktualisht, kërkesa për akullore është 25-30% më pak se në 2019-n. Drejtuesit shpjeguan se kjo ka ardhur për shkak të rënies së frekuentimit në pastiçeri, nga frika e infektimeve me Covid-19. Në periudhën e karantinës, për shkak të skadencës së mallit, ky biznes humbi 45 mijë euro, ndërsa nuk zbatoi shërbimin delivery për akulloren, pasi e konsideroi të papërshtatshme për këtë produkt./Burimi:Monitor