Qershori ul çmimet e prodhimeve bujqësore në tregjet e vendit

343 0

Në tregjet e vendit çmimet e prodhimeve bujqësore shënuan rënie të ndjeshme në javën e parë të muajit qershor, krahasuar me javën e fundit të muajit maj të këtij viti.

Prodhimi bujqësor vendas po hyn në pikun e prodhimit, ku krahas rritjes së eksporteve po furnizohen bollshëm edhe tregjet e vendit.

Nga një vëzhgim në tregjet e shitjes me shumicë të produkteve bujqësore, në kryeqytet vihet re se çmimet e artikujve kryesorë të fushës dhe serrave, kanë shënuan rënie gati në përgjysmim të çmimit kundrejt javës së shkuar.

Sipas të dhënave të tregut të shitjes, çmimet e rreth 60% të artikujve bujqësore, kryesisht të perimeve, si speca, domate, kastraveca, kungull, patëllxhan etj, janë ulur përkatësisht në 30 lekë/kg, 50 lekë/kg, 30 lekë/kg.

Rritja e prodhimit bujqësor vendas, thuajse tashmë gjithëvjetor, gjatë këtij sezoni, ka sjellë më përpara se vitet e kaluara rënien e çmimeve të produkteve në tregjet e vendit. Ndërsa me rritje të çmimit rezultojnë prodhimet që janë në fillim të sezonit dhe një pjesë e prodhimeve të importit, ku kryesojnë frutat me një rritje prej 30 leke/kg më shtrenjtë.

Ndërkohë produktet e tjera në grupin e ushqimeve mish, bulmet dhe ushqime të importit, si vaj, makarona, etj, gjatë kësaj jave është ruajtur i njëjti nivel çmimi sa një javë më parë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, çmimet më të lira për perimet shënohen në rrethet Lushnjë e Fier./Burimi:ATA