Raporti i OECD: Mjekësia Shqiptare me Infrastrukturën me të Dobët në Rajon

390 0

Shqipëria rriti së fundmi me gati 20 për qind numrin e shtretërve për të përballuar pandeminë Covid-19, duke përshtatur një godinë në autostradë për spital Covid, por sërish vendi ynë mbetet me kapacitet me të ulta infrastrukturës spitalore në rajon, si në shtretër dhe në burime njerëzore thotë një raport i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Raporti i OECD që referon burime nga Banka Botërore raporton se Shqipëria ka vetëm 1,2 mjekë për 1000 banorë dhe 3,4 infermierë për 1 mijë banorë.
Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm Shqipëria ka më pak burime njerëzore në stafet mjekësore se Rajoni dhe me gjerë.
Shqipëria jo vetëm që ka numrin më të ulët të burimeve njerëzore, por ka një diferencë të thellë me vendet e Ballkanit dhe Europës Lindore, ku numërohen 2-4 mjekë për 1000 banorë.

E njëjta situatë vlen edhe për infermierët dhe për numrin e shtretërve. Shqipëria ofron 2,5 shtretër për 1000 banorë, ndërsa mesatarja rajonale është 4 shtretër lër 1000 banorë.

Kapacitetet

Sipas OECD që i referohet të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Shqipëria kishte 310 shtretër për shtrimin në spital të pacientëve me koronavirus para se të ndërtohej spitali Covid në autostradë.

Shqipëria ka kapacitet të ushtrojë 500 teste COVID-19 dhe ka 304 respiratorë gjithsej në të gjithë sistemin. Më 18 maj, për shkak të rënies së numrit të rasteve të reja spitalet u lejuan të fillojnë të kryejnë ndërhyrje të planifikuara dhe spitali “COVID 2”, aktualisht Sanotoriumi u kthye në aktivitetet e tij të zakonshme.

Në fillim të qershorit, një spital tjetër, me emrin “COVID 3”, është përshtatur për t’u përgatitur për një valë të re të mundshme të infeksioneve.

Me hapjen e ekonomisë një valë e re infektimi nga Virusi është shtrirë pothuajse në të gjithë vendin duke rritur edhe numrin e shtrimeve në spitale. Por mjekët pohojnë se virusi është bërë më pak agresiv dhe koha e qëndrimit në spital e pacientëve të rënduar po vjen në ulje.