Raporti nga INSTAT: Çmimet e Mallrave të Konsumit Shënuan Rënie Prej 0.5% në Nëntor

318 0

Çmimet e mallrave të konsumit në muajin nëntor të këtij viti shënuan rënie me 0.5% krahasuar me muajin tetor, ndërsa shënuan rritje vjetore prej 1,6%.

INSTAT publikoi raportin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, i cili mat ndryshimin e nivelit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga njësitë ekonomike familjare për konsum vetjak. Indeksi përdoret si matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”.

“Krahasuar me muajin nëntor 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,9%, pasuar nga grupet “qira, ujë, lëndë
djegëse dhe energji” me 1,3%”, thuhet në raportin e INSTAT.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e zarzavate përfshirë patatet u rritën me 13,7%, pasuar nga çmimet e frutave të cilat u rritën me 4,3%

Nga ana tjetër, INSTAT bën të ditur se çmimet e transportit u ulën me 4,6%, pasuar nga grupet e veshjeve dhe këpucëve me 0,6% dhe shëndetit me 0,3%.

Krahasuar me muajin tetor 2020, çmimet e ushqimeve dhe pije joalkoolike u ulën me 1,3%. Nga ana tjetër çmimet e veshjeve dhe këpucëve u rritën me 0,4%.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është shprehur se inflacioni nuk do t’i afrohet objektivit prej 3% para vitit 2022 dhe paralajmëroi vijimin e politikës aktuale monetare, madje ndoshta edhe thellimin e saj të mëtejshëm, në rast se rreziqet, e lidhura sidomos me pandeminë, do të materializohen./Burimi:ATSH