Shpresa Për Një Vit Më Të Mirë – Flasin Ekspertët Për Ndryshimet Që Priten

313 0

Nëse viti 2020 na mësoi një gjë, është se në këtë situatë, parashikimet bëhen tepër të vështira. Por, siç ka treguar historia, njerëzimi ia ka dalë të ngrihet pas çdo krize, madje edhe më i fortë se më parë

Një 2020 me një kryq sipër ishte kopertina e pak javëve më parë e “The Times”. Në fakt, e gjithë bota do të dëshironte që të fshinte atë që ndodhi në vitin e mbrapshtë që lamë pas, kur u fut në një udhëkryq për shkak të pandemisë që shpërtheu në fillim të 2020-s.

Përballë dilemës së jetës apo shëndetit dhe të panjohurës së virusit, pjesa më e madhe e vendeve të botës zgjodhën të hyjnë në një karantinë të rreptë dhe të shpejtë. Kjo karantinë u dha kohë të frenonin përhapjen e infeksionit, të merrnin masa për të përshtatur dhe për të përmirësuar sistemet shëndetësore, ndërkohë që shkencëtarët nisën punën me urgjencë për gjetjen e alternativave të shërbimit dhe krijimin e një vaksine.

Por, dëmet në ekonomi ishin të mëdha. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se globi hyri në një recesion global, me rënie prej 4.4% në 2020-n. Për Shqipërinë, rënia e pritshme për vitin 2020 bazuar në parashikimet zyrtare të qeverisë është -6.4%, ndërsa për 9-mujorin ka rezultuar për rreth -5.5%, e ndihmuar disi nga ecuria pozitive e ndërtimit dhe vala e ndërtimeve e shitjeve të pasurive të paluajtshme. Sektori i tregtisë, akomodimit e shërbimeve ishte më i godituri i pandemisë në vend.

Ndryshe nga parashikimet fillestare, që prisnin një rihapje graduale në gjysmën e dytë të vitit 2020, vala e dytë detyroi shumë shtete të rikthenin masat kufizuese, të cilat ende vijojnë, sidomos për shumë shtete të Europës së vjetër, që deri tani ka rezultuar dhe më e goditura.

Por, ndonëse virusi duket ende në kulmin e tij, sinjale shprese ka në horizont. Disa vaksina të zbuluara kanë rezultuar efektive, kanë marrë miratimin e autoriteteve në vendet më të mëdha të botës dhe procedura e vaksinimit ka filluar. Pas një viti të ngarkuar, shpresat janë gjithashtu se imuniteti i tufës ka nisur të krijohet gradualisht. Bazuar në përvojën e gripit spanjoll, pandemia mund të zgjasë dy vjet, por deri në mars 2021, mund të jetë periudha më e vështirë. Periudha e verës mund të sjellë pak frymëmarrje, duke gjallëruar konsumin, udhëtimet e turizmin në mbarë globin.

Për Shqipërinë, rimëkëmbja pritet të fillojë, ndonëse pasiguritë janë të mëdha dhe në kahun e poshtëm, sidomos në muajt e parë të vitit. Pjesa më e madhe e sektorëve mbeten optimistë. Një pjesë e tyre, kishin nisur të rikuperonin që në gjysmën e dytë të 2020-s dhe pritet të vijojnë me tendencë pozitive.

Pothuajse të gjitha grupet e eksporteve parashikojnë të kenë aktivitetet me rritje në vitin 2021, më i fortë për industrinë mbështetëse automotive (për shkak të hapjes së fabrikave të reja), produkteve bujqësore dhe materialet e ndërtimit e metaleve, duke reflektuar kërkesën më të lartë në tregjet rajonale.

Industria e naftës pret të njëjtat nivele si në vitin 2020, ndërsa sektori më problematik mbetet ai i tekstileve dhe këpucëve, që pritet të vuajë rënien e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht ata italianë. Por, nga ana tjetër, kjo situatë po e nxit grupin më të madh të eksporteve në vend që të diversifikohet në tregje të tjera, përveç Italisë (p.sh. Gjermania), apo të mendojë për të ndryshuar modelin e prodhimit dhe për t’u bërë më eficient.

Bujqësia, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme parashikohet të kenë sërish një vit pozitiv. Industria përpunuese është optimiste në pjesën më të madhe të saj, sidomos prodhuesit e pijeve dhe ushqimeve, përpunimi i drurit, sektori mbështetës i ndërtimit. Më pak optimistë janë përpunimi i letrës, riciklimi, metalet me ngjyra. I varur nga sjellja e pandemisë do të vijojë të jetë aktiviteti i tregtisë, teksa operatorët pohojnë se konsumi për momentin është përqendruar drejt produkteve të domosdoshme të shportës dhe ai i shërbimeve.

Shpresa më e madhe mbetet rimëkëmbja e turizmit, sektori që deri në 2019-n ishte në lulëzim dhe më pas u godit vrullshëm nga pandemia. Shqipëria vijon të mbetet preferenca e shumë të huajve dhe operatorët turistikë pohojnë se prenotimet paraprake janë në të njëjtat nivele si në vitin 2019. Por gjithçka do të varet nga sjellja e virusit, shpejtësia e krijimit të imunitetit të tufës, të ndihmuar edhe nga vaksinimi.

Nëse viti 2020 na mësoi një gjë, është se në këtë situatë, parashikimet bëhen tepër të vështira. Por, siç ka treguar historia, njerëzimi ia ka dalë të ngrihet pas çdo krize, madje edhe më i fortë se më parë./Burimi:Monitor