Shqipëria Pjesë e Paketës së Mbështetjes për Ballkanin – BERZH dhe BE Japin 85 Milionë Euro Fonde

390 0

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Europian po rrisin mbështetjen e tyre për bizneset e vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor duke ofruar financime shtesë në kuadër të krizës së krijuar nga pandemia COVID-19.

BERZH do të ofrojë deri në 70 milionë euro në linja të reja kreditimi për institucionet partnere financiare me qëllim rritjen e kreditimit për bizneset vendase në Shqipëri dhe pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa BE ofron gjithashtu 15 milionë euro për të identifikuar dhe verifikuar pajisjet dhe teknologjinë më të mirë në mënyrë që bizneset e vogla dhe të mesme të rrisin konkurueshmërinë e tyre dhe të orientohen drejt një ekonomie të gjelbër.

Vendet e Ballkanit Perëndimor i janë përgjigjur pandemisë se koronavirusit me masa të rrepta të shëndetit publik të cilat kanë sjellë si rrjedhojë një impakt të rëndë ekonomik.

Vendet gjithashtu vuajnë nga tkurrja ekonomike globale dhe rënia e kërkesës për produktet e tyre.

BERZH dhe BE përmes “Ekipit Europa” po i mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme të bëhen më konkuruese dhe të kërkojnë zgjidhje inovative për t’u përballur me sfidat e reja.

Fondet do t’u sigurojnë bizneseve akses në financime, arritjen e standardeve më të larta të produkteve dhe vendosjen në një pozicion më të favorshëm për të përfituar nga mundësitë e eksportit të ofruara në rajon dhe në tregun europian.

“Ne kemi marrë një angazhim për t’i mbështetur seriozisht bizneset në këto kohë të vështira,” tha Pierre Heilbronn, zëvendëspresident i BERZH për Politikat dhe Partneritetet.

“Fondet tona do të ofrojnë mbështetje për rimëkëmbjen, rritjen dhe përgatitjen për të ardhmen, Ky angazhim është gjithashtu një dëshmi për partneritetin e fortë dhe bashkëpunimin me BE në Ballkanin Perëndimor”, tha Heilbronn.

Olivér Várhelyi, Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin tha se, “bizneset e vogla dhe të mesme janë jetike për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe janë prekur veçanërisht nga kriza. Kjo është arsyeja pse ne në kuadër të një bashkëpunimi afatgjatë me BERZH në rajon po rrisin mbështetjen ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme- jo vetëm për të siguruar mbijetesën e tyre, por edhe për të rritur fleksibilitetin dhe për të hedhur bazat për një rimëkëmbje të qëndrueshme.”

BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në Ballkanin Perëndimor. Deri tani, ka investuar 13 miliardë euro në më shumë se 700 projekte në infrastrukturë, SME dhe në ekonominë e gjelbër./Burimi:ATSH