Maska e Detyrueshme në Ambientet e Mbyllura – Penalizime Për Qytetarët që Nuk Zbatojnë Rregullin

240 0

Përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm nga çdo qytetar në ambientet e mbyllura.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se vendosja e maskës me detyrim në ambientet e mbyllura është një masë e domosdoshme, që do të hyjë në fuqi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të kufizuar përhapjen e COVID19.

“Me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve kemi vendosur që maskat/barrierat mbrojtëse, ashtu siç i kemi përcaktuar të jenë të detyrueshme në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, tashmë do të jenë të detyrueshme për të gjithë individët për t’u përdorur në ambientet e mbyllura. Do të jetë një përgjegjësi më shumë e të gjithë qytetarëve, për të mbajtur barrierat mbrojtëse, kudo në ambientet e mbyllura. Të gjithë ata individë që nuk do ta përdorin barrierën mbrojtëse, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të penalizohen”, bëri të ditur Manastirliu.

Manastirliu bëri thirrje për respektim të rregullave të vendosura.

“Për ata të cilët janë skeptikë dhe nuk zbatojnë rregullat, u them që të shkojnë të takojnë të afërmit e familjarëve të cilët janë të shtruar në spitalin infektiv dhe të shohin se çfarë vuajtjesh kanë ata pacientë. Por ne mund ta luftojmë këtë sëmundje, duke përdorur armët e thjeshta, siç është përdorimi i maskës.

Komunitetet shkencore e kanë pohuar se maskat/barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e infeksionit në ambientet e mbyllura. Është shumë efikase, pasi redukton transmetueshmërinë. Nëse e vendosim të gjithë, ajo përkthehet në një armë mbrojtëse për mospërhapjen e këtij infeksioni. Është shumë e rëndësishme që të na mirëkuptojnë të gjithë qytetarët, që ky është një akt që bëhet për të mirën e shëndetit. Shëndeti nuk ka çmim”, bëri thirrje Manastirliu.

Detyrimi për vendosjen e barrierave mbrojtëse në ambientet e mbyllura do të përcaktohet me aktin normativ, ku do të vendosen edhe penalitetet për mosrespektimin e këtij detyrimi në ambientet e mbyllura./Burimi: Monitor