Shqipëria Po Zgjeron Prodhimin dhe Eksportin e Vajit të Ullirit

717 0

Sipas statistikave zyrtare në vitin 2019 prodhimi i ullirit shënoi sasinë e 98,313 tonëve dhe prodhimi i vajit të ullirit po në këtë vit arriti në 20,038 tonë.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit regjistrohet në qarkun e Beratit me mbi 38 mijë tonë, pasuar nga qarqet Fier me rreth 33 mijë tonë dhe Vlorë me mbi 17 mijë tonë.

Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri.

Sipas INSTAT, ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet europiane.

Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore, vlera dhe rëndësia e këtij prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.

1 milion euro ishte fondi i disbursuar një vit e gjysmë më parë, si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, që mbështet fermerët  për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.

Përbërësit e vajit ekstra të virgjër

Vaji ekstra i virgjër ka vlera të jashtëzakonshme. Ai përmban sasi të vitaminës E dhe K, por edhe shumë acide yndyrore të nevojshme. Në 100 gramë vaj ulliri ekstra të virgjër gjenden:

13.8% yndyrna të ngopura
73% yndyrna mono-të-pangopura
9.7% Omega-6
0.76% Omega-3
72% e dozës së rekomanduar ditore të Vitaminës E
75% të dozës së rekomanduar ditore të Vitaminës K

Një nga përbërësit kryesorë të vajit të ullirit janë padyshim antioksidantët. Këto substanca janë biologjikisht aktive dhe disa prej tyre luftojnë sëmundje të rënda.

Vaji Ekstra i Virgjër Ndihmon kundër Sëmundjeve Kardiovaskulare

Shumë studime kanë treguar që në rajonin e Mesdheut, njerëzit kanë më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, si rezultat i dietës Mesdhetare, që përfshin vajin ekstra të virgjër të ullirit. Konsumimi i këtij vaji, redukton atakun në zemër, rreziqet për ishemi dhe vdekshmërinë me 30%. Ai lufton këto sëmundje nëpërmjet këtyre mekanizmave:

-Ul inflamacionin që është edhe shtysa kryesore e sëmundjeve kardiovaskulare
-Mbron kolesterolin e mirë nga dëmet e proçesit oksidues, edhe ky një faktor kryesor në shkaktimin e sëmundjeve të zemrës
-Parandalon mpiksjen e gjakut, një nga shtysat negative të atakut në zemër dhe isheminë
-Ul tensionin e gjakut dhe nevojat për medikamente për këtë problem me 48%