Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se mund të mos ketë kurrë një vaksinë efektive për COVID-19, dhe se rruga drejt normalitetit do të jetë e gjatë.

Më shumë se 18 milionë njerëz në mbarë botën raportohet se janë infektuar me COVID-19, dhe 688.080 kanë vdekur, sipas një raporti të agjencisë “Reuters”.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe kreu i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan, nxitën kombet që të zbatojnë me rigorozitet masat shëndetësore siç janë: mbajtja e maskës, distanca fizike, larja e duarve dhe testimi.

“Një numër vaksinash tani janë në fazën e tretë të studimeve klinike dhe të gjithë shpresojmë të kemi vaksina efektive, që mund të ndihmojnë në parandalimin nga infeksioni.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë ‘plumb argjendi’ ndaj COVID-19 për momentin – dhe mbase mund të mos ketë kurrë”, tha kreu i OBSH-së.

Sipas tij, ekzistojnë shqetësime se “mund të mos kemi një vaksinë që do të funksionojë, ose mbrojtja nga ajo mund të jetë vetëm për disa muaj, jo më shumë”.

Megjithatë ai tha se asgjë nuk dihet, derisa të përfundojnë provat klinike. Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi organizata paralajmëroi se pandemia me shumë gjasë do të ishte e gjatë.

Një numër vaksinash po testohen rreth botës në përpjekjen për të gjetur antidotin ndaj virusit vrasës./Burimi:Euronews