Shtyhen Aplikimet Për Grantet e Financimit të Fermerëve

447 0

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka shtyrë aplikimet e fermerëve për financime në bujqësi për vitin 2020, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID- 19.

Në një njoftim zyrtar të AZHBR-së  citohet se, “në kuadër të masave drastike të marra nga qeveria për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, AZHBR si njësi zbatuese, ka vendosur pezullimin e aktiviteteve informuese”.

Gjithashtu edhe thirrja për aplikime për masat mbështetëse nga “Fondi i Programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural 2020 është pezulluar deri në një njoftim të dytë.

Qeveria miratoi në muajin shkurt kriteret, kategoritë përfituese dhe masën e financimit në bujqësi nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2020.

Sipas vendimit, “fondi do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit:

a) nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës;

b) shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike;

c) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike;

ç) mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale”.

Fondi i Programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural 2020”, mbështet:

1- fermat me të imta me jo më pak se 70 krerë, në rreth 1200 lekë për krerë dhe për gjedhët 10 mijë lekë për krerë,

2- bletaria me 1 mijë lekë për zgjua për ferma jo më pak se 50 zgjoje.

3- Për bimët aromatike financimi fillon nga 200 mijë lekë për hektarë për individë dhe grup fermerësh dhe deri në 4 milionë lekë për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

4-Për fermat organike mbështetja do të jetë nga 100-200 mijë lekë, ndërsa për rikonstruksionin e ambienteve për turizëm rural,  me 6-10 dhoma, financimi arrin deri në 5 milionë lekë për subjekt/Burimi:ATSH