Koronavirusi, Gjika Për AgroWeb: Si Të Qetësojmë Ankthin e Fëmijëve

346 0

Koronavirusi është një pandemi shumë misterioze por në të njëjtën kohë e frikshme, veçanërisht për të vegjëlit.

Barra më e rëndë në shpjegimin e situatë i takon prindit, i cili duhet të ketë shumë vetë kontroll për të shmangur ankthin në komunikimin me fëmijët.

Pikërisht për t’u ardhur në ndihmë të rriturve dhe fëmijëve në lidhje me menaxhimin e situatës, AgroWeb.org ka intervistuar në distancë mjeken pediatre Lira Gjika.

Si T’ua Shpjegojmë Fëmijëve Gjendjen Në Të Cilën Ndodhet Familja, Komuniteti dhe Vendi?  

Të rriturit e kanë të vështirë të flasin me fëmijët, sepse i shohin ata thjesht të vegjël dhe që nuk kuptojnë asgjë.

Një mendësi e tillë, sipas Gjikës, është e gabuar  sepse i rrituri është përgjegjës dhe duhet të bëhet model që fëmija të mësojë si të sillet dhe si të reagojë.

“Njeriu me njeriun komunikon nëpërmjet fjalës edhe me fëmijën do të komunikojmë nëpërmjet fjalës. Ne të rriturve na ndodh shpesh, kur nuk kuptojmë një koncept apo problem, kërkojmë të na thuhet më thjeshtë apo me fjalë më të thjeshta që të mund ta kuptojmë çështjen apo problemin, që shtjellohet. Në të njëjtën mënyrë duhet të flasim e të veprojmë me fëmijën”, tha Gjika

Gjika dha për lexuesit e AgroWeb.org shembullin e një tregimi të thjeshtë me tematikën e Koronavirusit, të cilën prindërit mund t’ua tregojnë butë dhe qetë fëmijëve.

“Virusi është një gjë shumë e vogël, e cila nuk shikohet me sy. Ky virusi i vogël, i bën gjërat pa menduar, sepse është i vogël dhe nuk e di, që bën keq. Kur erdhi për vizitë te njerëzit, njerëzit nuk e shihnin dhe kështu filluan të sëmuren. Ne fillim u hutuan se pse po sëmureshin kaq shumë, sidomos gjyshërit dhe kështu u trembën. Por, menjëherë shkencëtarët ia nisën punës të gjejnë mënyrën si ta shohin, që të mund ta ndalojnë. Ata u thanë njerëzve, që të rrinë në shtëpi dhe t’i lajnë duart sa më shpesh me sapun. Ata  treguan se nëse ne rrimë pa u përqafuar, virusi nuk kalon dot nga një njeri te tjetri dhe kështu nuk mund të na sëmurë. Është e vërtetë, që duhet vullnet të rrimë në shtëpi disa kohë, që virusi të mos zhvillohet. Meqenëse jeta është gjëja më e çmuar që kemi, ne duhet ta ruajmë me shumë kujdes, pra do të zbatojmë të gjitha rregullat,” tha Gjika, duke përzgjedhur me shumë kujdes fjalë të thjeshta që edhe një fëmijë mund t’i kuptojë.

Sipas pediatres, mënyra e shpjegimit të situatës ndryshon në varësi të moshës së fëmijës.

Për shembull, fëmijët nga 0-5 vjeç akoma besojnë tek magjia, babagjyshi, përbindëshat.

Ata kanë nevojë të dinë që mund të varen tek prindi për dashuri dhe qëndrueshmëri.

Nëse ata bëjnë pyetje, duhet të tregoni kujdes sepse fëmijët perceptojnë tonin e zërit, lexojnë mimikën e fytyrës dhe gjuhën e trupit.  Për shembull, në vend të fjalës ‘panik’ apo ‘e tmerrshme’, prindërit duhet të përdorin fjalën “shqetësim.

Fëmijët që shkojnë në shkollë meritojnë një shpjegim më të plotë.

Fëmijët nga 5-10 vjeç kanë aftësi më të përparuara të mendimit dhe llogjikës, ndonëse nuk e kuptojnë qartë abstraktin, sarkazmën dhe ironinë.

Ata shqetësohen shumë në situata të tilla, jo vetëm për veten por edhe për prindin.

Me këtë grupmoshë,  ata mund ta interpretojnë ndryshe situatën dhe prindi duhet të dëgjojë dhe më pas ta informojë siç duhet dhe ta qetësojë atë.

“Prindi mund t’u japë fëmijëve informacion për viruset. Fëmijëve mund t’u shpjegohet se të gjitha gjallesat përfshirë edhe njeriun, vijnë në jetë nga qeliza shumë të vogla që nuk duken me sy. Disa nga këto rriten e bëhen të mëdha, disa mbeten të vegjël dhe në kushte të caktuara bëhen të rrezikshme për njeriun siç po ndodh me virusin që po sëmur rëndë njerëzit,” tha Gjika për AgroWeb.org

Si T’i Bëjmë Fëmijët Më Të Përgjegjshëm Në Aspektin e Higjenës

Në këtë aspekt dhe në të gjitha të tjerat, Gjika nënvizon rëndësinë e faktit që prindi duhet të jetë modeli që fëmija të marrë shembull.

“Mjafton të mos harrojmë t’i lajmë duart për vete. Kur të lajmë duart tona, ne duhet t’i thërrasim apo ftojmë edhe fëmijët të lajnë duart apo të ndërrojnë rrobat apo të disifektojnë këpucët. Prindërit duhet të kenë kujdes e të ruajnë qetësinë. Ata nuk duhet t’u flasin fëmijëve me nerva apo  në mënyrë urdhërore. Duhet të flasim me përgjegjësi, jo me bezdi dhe padurim” shpjegoi pediatrja.

Si Të Zbusim Ankthin e Fëmijëve

Sipas Gjikës, nëse i rrituri ose prindi është i trembur dhe konfuz, fëmijët do të jenë të shqetësuar dhe aspak bashkëpunues.

“Të gjithë të rriturit në përgjithësi dhe prindërit në veçanti, duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj frikës që ndjejnë. Është mirë të flasin me fëmijën duke i treguar se sa frikë ka dhe vetë i rrituri, por që beson se shkencëtarët do të gjejnë një zgjidhje,” tha Gjika.

“Është shumë e rëndësishme, që të rriturit kur flasin ndërmjet tyre, të mos flasin me pesimizëm apo alarm, siç ndodh shpesh. Do tu bëjë mirë në rradhë të parë të rriturve, nëse përpiqet të flasin me qetësi dhe jo të diktuar nga ana e rënduar emocionale”, shtoi ajo.

Një nga mënyrat më efikase për të zbutur ankthin, sipas Gjikës, është angazhimi i prindërve dhe fëmijëve në lojra të ndryshme sicc janë: kukafshehti, telefon i prishur, shah, vizatime, ‘mos u nxeh,” etj.

Prindërit bashkë me fëmijët mund të gatuajnë së bashku, të lexojnë, por dhe të tregojnë përralla kur ishin të vegjël.

“Do të ishte mirë që prindërit të përdornin edhe frazën “sa më ke ngjarë, nxehesh njëlloj si unë” e shprehje të tilla, që e zbutin situatën dhe e nxjerrin fëmijën, por edhe të rriturin  nga mërzia. Gjithashtu, kur të rriturit janë të lodhur apo të nervozuar, mund ti thonë fëmijëve: më lini një orë të qetësohem dhe më pas do të luajmë,” shpjegoi Gjika

Çfarë Duhet Të Bëjnë Prindërit Për Të Ulur Ekspozimin e Fëmijëve Ndaj Lajmeve

Gjika këshillon një ekspozim të matur të fëmijëve ndaj lajmeve.

“Lajmet, është mirë të dëgjohen me masë, vetëm lajmet kryesore. Kur dëgjon gjithë ditën vetëm lajme, atëhere ke harruar përgjegjësinë ndaj fëmijëve,” tha Gjika.

E pyetur mbi mundësinë e rikthimit të situatës në gjendje normale dhe ndikimit tek fëmijët të cilët do të ndahen nga prindi pasi kanë kaluar shumë kohë me ta, Gjika dha këtë këshillë:

“Prindërit duhet t’i njoftojnë fëmijët, që virusi u dobësua dhe njerëzit do të dalin nga shtëpia dhe të shijojnë pranverën dhe jetën. Fëmijët do të takohen me shokët e tyre, do t’i rikthehen normalitetit dhe lirisë,” tha Gjika, duke nënvizuar disa herë rëndësinë e rolit të prindit tek mënyra se si e përballon një fëmijë këtë situatë të pandodhur më parë. /AgroWeb.org