Muzetë Që Duhet Të Vizitoni Patjetër Këtë Vit

362 0

Roli parësor i një muzeu është të angazhojë dhe të edukojë komunitetin dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Muzetë ofrojnë një shans për të ndjekur diçka interesante në një mjedis tjetër me një pikëpamje tjetër.

Duke vizituar një muze, njeriu fiton një botëkuptim të ri, jashtë bankave të shkollës.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për muzetë që duhet t’i shikoni patjetër këtë vit, në mos në pranverë.

Disa do të mbyllen për rinovim e disa do të çelin dyert e madhështisë dhe dijes për mijëra vizitorë nga e gjithë bota

Galeria Kombëtare e Portreteve Në Londër

Galeria Kombëtare e Portreteve në sheshin Trafalgar të Londrës do të mbyllet me 29 Qershor dhe do të qëndrojë e mbyllur deri në pranverën e vitit 2023. Rinovimi do të kushtojë 35.5 milionë paundë britanikë.

Në këtë galeri gjenden mijëra e mijëra portrete, piktura, skulptura e vepra arti nga të mirënjohurit Mikelanxhelo, Rafael dhe Botiçeli.

Ndaj nxitoni ta vizitoni sa jeni ende në kohë.

Les Bassins de Lumières në Bordo të Francës

Bëhet fjalë për shtëpinë më të madhe të artit dixhital në botë. Njihet si “Pellgjet e Dritës” dhe ndodhet në një bazë nëndetësesh të ish Luftës së Parë Botërore në Bordo.

Ky muze interesant do të hapë dyert për vizitorët në 17 prill të këtij viti.

Aty do të gjeni kryevepra të Gustav Klimt dhe Paul Klee.

Muzeu i Madh Egjiptian në Kajro

Ky muze tërësisht i ri shtrihet në një sipërfaqe prej 1 milionë metër katror.

Ai do të jetë muzeu më i madh i një qytetërimi të tërë dhe do të përmbajë më shumë se 100,000 artifakte.

Në hyrje do të ketë një statujë gjigande me peshë 83 tonë të Ramsit të dytë.

Muzeu është planifikuar të çelë dyert për vizitorët këtë vit.

Muzeu Kombëtar i Katarit në Doha

Ky muze do të jetë një kryevepër e arkitekturës.

Ai është skicuar nga Jean Nouvel i cili është frymëzuar nga një grupim kristalesh të zbuluar në shkretëtirë që mbajnë emrin Trëndafili i Shkretëtirës.

Muzeu do t’i përkushtohet plotësisht historisë së Katarit që nga krijimi e deri në kohët moderne.

Muzeu i Makiazhit Në Nju Jork

Ky do të jetë muzeu i parë në botë i dedikuar makiazhit.

Ai do të hapet në Maj të këtij viti dhe në fokus do të ketë historinë e makiazhit dhe ndikimin e tij tek shoqëria.

Përveç ekspozitave të ndryshme, vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë edhe makiazh por të shohin edhe artifakte bukurie të papara ndonjëherë./AgroWeb.org