Si të Përballoni Tërmetet në Ndërtesat e Larta – Këshillat e Ekspertëve

719 0

Këshilla e parë që jepet në raste tërmetesh është qëndrimi në ambiente të sigurta e të hapura, por jo gjithnjë kjo është e mundur, pasi tërmeti vjen paparalajmëruar.

Mëngjesin e datës 26 Nëntor rreth orës 03:50, Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm më magnitudë 6.4 ballë Rihter.

Lëkundjet u ndjenë thuajse në të gjithë territorin, përtej detit në Puglia të Italisë, por më së shumti në zonën e Tiranës dhe Durrësit.

Me qindra të lënduar dhe disa jetë të humbura, tërmeti më i madh i këtyre dekadave la pas edhe shumë panik tek banorët e këtyre zonave për disa arsye.

Bëhet fjalë për dy nga qytetet më të mëdha dhe të zhvilluara të vendit, ku pallatet e larta dhe gradaçelat strehojnë pjesën më të madhe të popullsisë.

Duke qenë se lëkundjet u ndjenë në orët e para të mëngjesit, shumica e personave të prekur gjendeshin nëpër shtëpitë e tyre.

Ndonëse për katet më të ulta goditjet u ndjenë më të zbutura dhe mundësia për tu larguar nga zonat e rrezikut ishte më e madhe, për ata që jetonin në katet e larta nuk ndodhi kështu.

Për këtë arsye në këtë artikull nga AgroWeb.org ju shpjegojmë një sërë mënyrash si mund të mbroheni gjatë tërmeteve, nëse ndodheni brenda ndërtesave të larta.

Si të veproni
Nëse po përballeni me një situatë tërmeti, ekspertët këshillojnë një sërë hapash për të minimizuar rrezikun.

Së pari nëse jeni në brendësi të një ndërtese mbi katin e pestë, është e këshillueshme të qëndroni brenda e të sigurt.

Sapo të ndjeni lëkundjet e para të tokës, uluni në një vend të sigurt larg dritareve apo ballkoneve dhe mundohuni të mbroni kokën me duar.

Nuk këshillohet ecja apo vrapimi gjatë këtyre lëkundjeve, pasi mund të pësoni lëndime nga rrëzimet apo nga sendet që mund të bien si pasojë e lëkundjeve.

Kjo konsiderohet veçanërisht e rrezikshme nga ekseprtët edhe nëse bëhet fjalë për distanaca të vogla mbi 3 metra.

Sipas studimeve të ekspertëve Japonezë të cilëve i’u referohet AgroWeb.org, mundësitë që të lëndoheni nëse veproni kështu janë shumë të mëdha.

Lëkundjet e para

Në rastet kur lëkundjet sapo kanë filluar, për personat që ndodhen në katet e larta këshillohet sërish qëndrimi brenda në shtëpi në një zonë të sigurt.

Kjo pasi, asnjëherë nuk mund të parashikoni intensitetin e tërmetit dhe lëkundjeve gjatë sekondave apo minutave në vijim.

Pas lëkundjeve
Nëse sapo keni përjetuar lëkundje tërmeti, sado të lehta apo të forta kur toka të jetë qetësuar, dilni menjëherë jashtë.

Mos përdorni kurrë ashensorët dhe bëni kujdes teksa zbrisni shkallët, duke ruajtur qetësinë.

Bëni kujdes edhe pasi të mbërrini në katin e parë, sepse nga pallatet e larta mund të bien sende dhe t’ju dëmtojnë teksa largoheni nga ndërtesa.

Sigurohuni që të shkoni sa më parë në një zonë të hapur, pa pemë të larta, ndërtesa apo shtylla përreth.

Kjo pasi, tërmetet në përgjithësi shoqërohen me një mori pasgoditjesh nga fillimi i tyre në mbarim dhe të rrëzojnë objekte rreth jush.

Shëmbja e ndërtesës

Në rastet kur ndjeni si ndërtesa po shembet, reagoni menjëherë dhe shkoni në një vend të sigurt pranë një moblije të forte; poshtë krevatit, tavolinës, apo brenda në vaskë.

Kjo me shumë mundësi do t’ju japë pak kohë që të evitoni rrënojat e betonit t’ju dëmtojnë kokën apo pjesë të tjera të trupit.

Qëndroni pa lëvizur dhe ruani qetësinë, në mënyrë që të mund të komunikoni me autoritetet për shpëtimin nga rrënojat.

E rëndësishme gjithnjë është të ruani pjesën e kokës dhe qafës nga goditjet dhe të mundoheni që të qëndroni sa me të sigurt./AgroWeb.org