E gjithë Shqipëria prodhon fruta të mrekullueshme, por Zona e Jugut është një burim i pashtershëm traditash për përpunimin e veçantë të tyre.

Në tregjet e hapura të Përmetit, Këlcyrës dhe Beratit në Jug të Shqipërisë, jeni të ftuar nga AgroWeb.org të gjeni fiqtë e mrekullueshëm të bardhë e të zinj, vërtet në diell të tharë, por krejt të freskët.

Çfarë kanë të veçantë? Këta fiq në mënyrë tradicionale vilen herët në mëngjes, para se të piqen plotësisht, pra para se t’i rrudhet lëkura e jashtme.

Frutat e fiqve vilen bashkë me degëzën e tyre mbajtëse për të ndihmuar në parandalimin e prishjes dhe për t’i mbrojtur nga sulmet e insekteve. Pas vjeljes, fiqtë rradhiten mbi rrjeta teli dhe vendosen në kuti të cekëta.

Fiqtë si traditë e trashëguar prej shekujsh

Në disa zona të Këlcyrës, sidomos në Frashër, Fratar dhe Orgockë, vendasit kanë disa teknika mahnitëse të trashëguara brez pas brezi.

Mjeshtrat e përpunimit i spërkasin lehtë fiqtë me miell. Pse? AgroWeb.org ju tregon se kur fiqtë janë të veshur lehtë me një shtresë mielli të thjeshtë, ata janë shumë më të mbrojtur nga insektet që mund të dëmtojnë lëkurën e frutave.

Fiqtë pastaj thahen në ajër të hapur deri në dy muaj. Pas kësaj kohe, ata janë gati për konsum.

Në Shqipërinë e Jugut, fiqtë e tharë në diell tradicionalisht u shërbehen mysafirëve me raki rrushit të prodhuar me mjeshtëri artizanale. Mos harroni se ajo është një nga specialitetet kryesore të Përmetit.

Fiqtë janë kultivuar prej shumë shekujsh në këto zona të Shqipërisë.

Fiqtë e thatë shqiptarë janë një traditë e hershme kryesisht në aksin e Beratit dhe Përmetit, nga brigjet e lumit Osum deri në bashkimin me lumin Vjosa, duke përfshirë rrafshinat dhe luginat e rrethuara nga peisazhe mahnitëse.

Vërtet fiqtë e thatë gjenden në tregjet vendore të Jugut, por AgroWeb.org raporton se ata janë prodhuar prej kohësh kryesisht për konsum shtëpiak.

Tani, restorante të specializuara në gastronominë lokale gjithashtu ofrojnë këtë specialitet shumë të kërkuar nga turistë dhe nga udhëtarët vendas.

Traditë e kërcënuar nga importet

Por kjo traditë e lashtë është fort në rrezik. AgroWeb.org njofton se produkti shqiptar i tharë tradicionalisht dhe i bërë nga fiq të bardhë e zi, kërcënohet nga fiqtë e tharë me procese industriale.

Këto produkte janë kryesisht të importuara nga Turqia dhe absolutisht jo të freskëta. Fiqtë e importuar thahen me dehidratim të shpejtë mekanik, i cili zvogëlon shumë aromën dhe cilësinë ushqimore të frutave.

Një proces i tillë i fermentimit të shpejtë i bën fiqtë e thatë të prodhuar industrialisht pa shije dhe në asnjë mënyrë nuk të kujton fikun e thatë bardhë e zi shqiptar./AgroWeb.org