Manat e thata, të famshme e plot vlera

583 0

Manat e thata janë shumë të shijshme dhe të vlerësuara anë e mbanë botës. Falë shijes së tyre të ëmbël, vlerave ushqimore dhe përfitimeve të mëdha shëndetësore, manat renditen në listën e ushqimeve më të mira për njeriun. Manat konsumohen të freskëta, por edhe të thata si në rastin e rrushit.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se në variantin e thatë, manat përmbajnë 70% karbohidrate, 14% fibër, 12% proteina dhe 3% yndyrna. Kjo do të thotë se në mesin e frutave të tjera të pyllit, manat përmbajnë më shumë proteina.

Kjo periudhë është koha më e artë vitit për manat e bardha dhe manat e kuqe, të cilat gjenden lehtësisht në çdo treg me çmime mjaft të ulëta dhe të përballueshme për të gjithë. Për të përfituar edhe në periudha të tjera të vitit prej vlerave të manave, mund të provoni krejt lehtë t’i thani në kushtet e shtëpisë dhe të zbuloni një shije mahnitëse.

Manat e thata janë një burim i çmuar antioksidantësh që luftojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira. Gjethet, degët dhe frutat e manës janë të pasura me antioksidantë, në veçanti resveratrolin.

Manat përmbajnë alkaloidë që aktivizojnë qelizat e bardha të gjakut që stimulojnë sistemin imunitar dhe rrisin vigjilencën e tij ndaj kërcënimeve të ndryshme.

Manat janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C dhe hekurit dhe shumë vitaminave dhe mineraleve të tjera. Manat e thata ulin kolesterolin dhe parandalojnë sëmundjen e steatozës dhe përmirësojnë nivelin e sheqerit në gjak. Ato ulin nivelin e stresit oksidues dhe si rrjedhojë ulin rrezikun e radikaleve të lira.

Si t’i thani Manat

Lajini manat me ujë të ftohtë. Kullojini dhe thajini me kujdes. Spërkatini me lëng limoni që të parandaloni nxirjen ose dehidratimin. Tharja e manave kërkon orë të tëra pjekjeje në furrë në një temperaturë të ulët dhe në një enë që nuk ngjit.

Manat duhet të kenë hapësirë që të thahen në mënyrë të njëjtrajtshme në furrë. Periudha e pjekjes në furrë zgjat nga 24 deri në 36 orë. Përdorni një lugë druri që t’i rrotulloni me kujdes çdo një orë.

Tundeni enën dhe nëse frutat lëvizin lirisht ato do të shkojnë në drejtimin e lëvizjes së enës. Më pas hidhini manat në një enë qelqi dhe ruajini në temperaturë ambienti për 10 ditë. Shkundeni enën për 10 sekonda çdo ditë. Në këtë mënyrë do të siguroni një shpërndarje të njëtrajtshme të lagështisë së mbetur te manat./AgroWeb.org