20 Milionë Euro Financim – Shqipëria një Fermë e Madhe Fruta Perimesh

272 0

Shqipëria nis rrugën drejt fuqizimit të eksporteve me prodhimet e fruta perimeve. Viti 2018 mund të konsiderohet pa asnjë hezitim, si viti i bujqësisë shqiptare.

Rreth 20 milionë euro do të jetë skema kombëtare e financimit të bujqësisë për vitin e ardhshëm, ndërsa një tjetër fond do të çelet përmes projektit IPARD II, një program i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare, projekt i cili parashikon në total një shumë prej 93 milionë eurosh.

Miliona euro financim për të kthyer tërësisht faqen e bujqësisë shqiptare dhe shndërrimin e saj në motorin kryesor të zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Shifrat u bënë të ditura sot nga Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë. Në një sesion të plotë diskutimesh mes ekspertësh të zhvillimit bujqësor u trajtuan sfidat dhe politikat kryesore në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Të pranishëm në punimet e kësaj konference, të zhvilluar në kujdesin e Ministrisë së Bujqësisë ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca,  ekspertë bujqësie, Ilir Pilku nga Creative Bussines Solutions, ekspertë të tjerë si Engjëll Skreli, Enver Isufi si dhe prodhues dhe  eksportues të prodhimeve shqiptare etj.

“Financimi i Bujqësisë për vitin 2018 do të rritet ndjeshëm. Këtu e kam fjalën për skemën kombëtare të financimit të bujqësisë e cila do të jetë rreth 20 milionë euro, skema më e madhe që bujqësia shqiptare ka patur ndonjëherë.

Por më tepër se sa skema kombëtare, një mundësi e re që me shumë gjasa do të hapet këtë vit është IPARDI, një program i mbështetur nga Bashkimi Evropian, natyrisht dhe qeveria shqiptare prej 93 milionë euro” është shprehur Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi.

Nxitje krijimit të fermave të mëdha në gjithë vendin

Gjatë konferencës u vu theksi tek rëndësia e krijimit dhe zhvillimit të fermave të mëdha në vend dhe mundësitë reale që fermerët shqiptarë do të kenë përmes mbështetjes nga skema kombëtare e bujqësisë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme financiare ndaj bujqësisë si të vetmen mundësi në fuqizimin e këtij sektori.

“Nuk duam të humbasim më kohë. Duhet të vijojmë rrugën që kemi nisur. Të zgjidhim të gjitha çështjet që i hapin rrugën zhvillimit të bujqësisë duke u siguruar kështu që problemet e të kaluarës të mos përsëriten më. Ajo që të gjithë ne na intereson përmes kësaj nisme është suksesi që sjell sukses” u shpreh kryeministri Rama.

15 produktet e shportës bazë që do të mbështeten

Një nga mesazhet e forta të konferencës kombëtare të bujqësisë ishte vendosja e mbështetjes së 15 produkteve të shportës bazë. Produkte që vlerësohen si konkurruese në tregun evropian.

Këtu përfshihen drurët frutorë, prodhimet e serave, bimë medicinale etj.

Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen me masën e punësimit.

Ministri Peleshi tha se fermerët që do të aplikojnë të bashkuar si një njësi e vetme do të përfitojnë 15 % më shumë financim sesa një fermer i vetëm.

Përpunuesit e qumështit, blegtorët, prodhuesit dhe grumbulluesit e bimëve medicinale do të kenë kriteret e tyre që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.