18 Raste Të Reja Në 24 Orë, Kalo Bën Thirrje Për Vigjilencë

343 0

Ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë konfirmuan të enjten se gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë u zbuluan 18 raste të reja me Covid-19. 11 prej këtyre rasteve janë regjistruar në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës.

Kështu, numri i rasteve me COVID-19 në Shqipëri ka arritur në 898. Numri i rasteve aktive është 173 persona, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit, autoritetet kanë testuar 191 qytetarë , ndërkohë që numri i plotë i testimeve të kryera deri më sot ka arritur në 11.769. 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

Si Është Situata Në Spitalet e COVID Në Shqipëri?

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, situata në spitalet e vendit është e qëndrueshme prej ditës.

Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Të dhënat tregojnë se më pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid.

Pjesa tjetër e të prekurve aktivë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë,ndiqet nga mjeku i familjes.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë distancimin fizik, masat e higjienës respiratore dhe personale dhe të mos kryejnë vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Bizneseve u është bërë thirrje që të zbatojnë protokollet strikte të higjenës dhe sigurisë për punonjësit dhe klientët.

Tritan Kalo: qytetarët të mos ulin vigjilencën

Më herët, mjeku infeksionist Tritan Kalo, u bëri thirrje qytetarëve në vend që të jenë vigjilentë dhe të mos ulin shkallën e ndërgjegjësimit për arsye se rreziku që na kanoset prej COVID-19 është i pranishëm.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kalo tha se virusi mbetet ende mes nesh.

“Vetëm përkujdesi i juaj i vazhdueshëm e ul rrezikun e infektimit prej tij…BASHKË me siguri do ja dalim mbanë përballjes me sfidën Sats-Cov2/Covid-19”, tha ai./AgroWeb.org