Në 5 Vite, Pyjet Shqiptare u Pakësuan Me 1 Mijë Hektarë

834 0

Në vitin 2018 fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1 milion e 740 mijë e 324 hektarë,  duke zënë 60,54 % të sipërfaqes totale në vend.

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, rezulton se në vitin 2018, pyjet shtrihen në një sipërfaqe prej 1 milion e 51 mijë e 859 hektarë. Nëse analizojmë shifrat në rang 5 vjeçari, rezulton se që nga viti 2014 deri në vitin 2018 Shqipëria ka humbur 913 hektarë pyje. Veç shfrytëzimit pa kriter, pyjet janë dëmtuar masivisht edhe nga zjarret.

Humbjet e mëdha

Humbjet më të mëdha janë konstatuar në vitin 2015 dhe 2017 me përkatësisht 519 hektarë më pak dhe 366 hektarë më pak.

Pyjet dhe kullotat përbëjnë gjysmën e fondit të tokës në Republikën e Shqipërisë, statistikat e pyjeve i referohen si fondit pyjor publik, ashtu fondit pyjor privat.

Statistikat e pyjeve  sigurojnë të dhëna të përgjithshme dhe specifike mbi prodhimin e lëndës drusore dhe asortimentet kryesore, shfrytëzimin e produkteve nga pyjet si dhe të dhëna mbi bilancin kadastral të fondit pyjor.

Rëndësia e tokave pyjore nuk mund të nënvlerësohet, duke qenë se janë pjesë e rëndësishme e habitatit tonë. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore dhe të përpunuara nga portali Our World in Data, sipërfaqja pyjore në Shqipëri përllogaritet 7,715 km2. Në krahasim me dhjetë vite më parë, ka rreth 109 km2 më pak pyje në vend.

Krahasuar me rajonin, Shqipëria, më pak e pyllëzuar

“Monitor” ka përllogaritur se sa për qind të sipërfaqes në total zënë pyjet në vend. Sipas llogaritjeve bazuar mbi të dhënat e publikuara nga Banka Botërore për sipërfaqen pyjore dhe sipërfaqeve totale të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit me vetëm 27% të sipërfaqes pyje. Renditja pasohet nga Serbia që edhe pse në vlerë absolute ka një sipërfaqe pyjore disa fish më të madhe se Shqipëria, në raport me totalin e sipërfaqes së saj, vetëm 30% zihet nga pyjet.