20 Ton Lëngje Frutash nga Serbia Bllokohen në Kufirin Shqiptar Jashtë Standardeve

593 0

Katër ngarkesa me produkte ushqimore janë bllokuar në disa nga pikat kufitare shqiptare për shkak të mos plotësimit të standardeve dhe cënimit të sigurisë ushqimore.

Përmes një njoftimi për mediat, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nga kontrollet e kryera në Pikat e Inspektimit Kufitar Morinë, Hani i Hotit dhe Durrës AKU ka bllokuar katër ngarkesa produktesh: lëngje frutash, pije energjike dhe kripë.

Produktet vinin nga Serbia, Maqedonia, Rumania dhe Gjermania.

Shkeljen e kërkesës ligjore për jetëgjatësinë e produktit

Sipas njoftimit tue AKU, nga kontrolli i ushtruar në praktikën e importit të një ngarkesë me 20.4 ton lëngje frutash (nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri nga subjekti ALFA sha) u konstatua se produktet nuk përmbushnin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore për jetëgjatësinë.

Produkteve i’u kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë, për rrjedhojë nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të Urdhërit Nr.250, datë 29.07.2011).

Për këtë arsye, AKU ndaloi hyrjen e mallrave në Shqipëri dhe urdhëroi kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.

Kripë me papërputhshmëri me kërkesat ligjore për sasinë e jodit

Nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 2.7 ton “Krip Himalaje” (nisur nga Maqedonia me qëllim tregtimin në Shqipëri nga subjekti Lindi AL) për t’u përdorur për konsum human, u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut (Ligji nr 9942 datë 26.06.2008, neni 6).

Pas kontrollit të ushtruar u konstatua se produkti kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (nuk ka raport-analizë të vlefshme për nivelin e jodit si dhe etiketa nuk përcakton saktësisht përmbajtjen e jodit).

Për rrjedhojë, AKU ndaloi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe urdhëroi kthimin e saj në vendin e origjinës.

Produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore të importit

Nga kontrolli i ushtruar në Pikën e Inspektimit Kufitar Hani i Hotit në një ngarkesë me 4043 kg pije energjike RED BULL (produkti vinte nga Rumania dhe importohej nga Barcen Distribution shpk), u konstatua se produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore të importit (mangësi në dokumentacionin shoqërues).

AKU bllokoi fillimisht ngarkesën dhe i kërkoi subjektit plotësimin e dokumentacionit shoqërues.

Pas kalimit të afatit kohor për plotësimin e mangësive në dokumentacion dhe në kushtet kur subjekti nuk paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e produktit sipas kërkesave ligjore të importit, AKU urdhëroi kthimin e produktit në vendin nga ku është importuar.

Etiketa e përbërësve nuk përmbante të dhënat kryesore të nevojitura

Nga kontrolli i ushtruar në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës në një ngarkesë me 21 ton kripë (produkt me origjinë nga Gjermania importuar për konsum human në Shqipëri) u konstatua mospërputhje e kërkesave ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut (Ligji nr. 9942datë 26.02.2008, neni 6).

Gjatë kontrollit të dokumentacionit përkatës si dhe pas kontrollit fizik të ngarkesës, ka rezultuar se etiketa e produktit kripë nuk përmbante të dhënat kryesore si: niveli i jodit, data e skadencës dhe e prodhimit.

Për këto arsye, Aku vendosi masën administrative “Bllokim Produkti” për sasinë 21 ton kripë dhemasën administrative “kthim në vendin e origjinës ” së produktit./AgroWeb.org