22 milionë Euro Kontrata Për Bujqësinë – Programi IPARD Vijon, Si Të Përfitoni

219 0

Rreth 22 milionë euro do të investohen në sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural në Shqipëri përmes dhjetrave kontrata të lidhura deri më tani në kuadër të programit IPARD.

Ky është një lajm i mirë tha ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, për një vend si Shqipëria që përgjithësisht ka problemeve me përthithjen e fondeve të donatorëve. Deklaratat ai i bëri gjatë takimit të pestë të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD, takim i zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Unë jam optimist që ne do të arrijmë të kapim të gjithë afatet përsa i përket mobilizimi të fondeve të kësaj skeme dhe nuk do të djegim asnjë fond që vjen nga Brukseli. Dua që të gjithë të kuptojnë se megjithë vështirësitë që ka përgjithësisht Shqipëria për thithjen e fondeve që vijnë nga donatorët, në këtë rast ne jemi një histori suksesi.

Kjo nuk është për të na vënë në gjumë, por për të na mbajtur zgjuar. Sepse shuma që duhet të shpenzojmë vitin tjetër duhet të jetë dyfish sa shuma e këtij viti”, tha ministri Çuçi.

Të pranishëm në takim ishin edhe Marius Lasdinis, drejtuesi i programit IPARD; Mario Mariani, drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Tiranë; si dhe Frida Krifca, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Aplikimet për thirrjen e dytë të programit IPARD u hapën më 30 tetor të këtij viti dhe do të mbyllen më datë 16 dhjetor 2019.

Cili është afati kur mbyllen aplikimet dhe si të përfitoni

Dhe kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e thirrjes, fluksi i të interesuarve për të aplikuar dhe përfituar nga këto fonde krahasuar me një vit më parë është shumë më i lartë.  Procesi i thirrjes ka nisur më 31 tetor dhe do të vijojë deri më 16 dhjetor.

Këtë fakt e konfirmojnë edhe ekspertët pranë CBS (Creative Business Solutions), organizatë konsulence biznesi që ofron këshillim dhe krijon zgjidhje për sipërmarrjet lokale, organizatat, donatorët dhe Insitucionet Financiare.

Ergent Pire, Menaxher i Shërbimeve për Agrobiznesin në CBS thotë për AgroWeb se aplikimi në skemën e granteve të IPARD është një procedurë mjaft komplekse që kërkon përfshirjen e shumë aktorëve njëkohësisht.

Sipas tij, këtu përfshihen, agronomë, inxhinierë, arkitektë, ekonomistë etj dhe koordinimi i këtyre aktorëve është vendimtar për të arritur në një dosje të plotë dhe cilësore aplikimi.

Zgjidhjet që çojnë në një aplikim të suksesshëm

Shumë fermerë që kërkojnë të hapin një aktivitet në sektorin e bujqësisë apo agro turizmit apo ta zgjerojnë atë hasin vështirësi në fazën e aplikimit duke mos patur mundësi në aksesimin e këtyre fondeve.

Ndaj dhe z.Pire, nënvizon rëndësinë që ka konsulenca që duhet të marrin të interesuarit në ndjekjen e të gjitha fazave të aplikimit, që në fund të procesit t’i përfitojnë këto fonde.

Gjatë thirrjes së parë të programit IPARD pati një interes të lartë për investime dhe u regjistruan mbi 300 aplikime.

Megjithatë një pjesë e mirë e aplikimeve u skualifikuan për shkak të cilësisë së dobët dhe gabimeve madhore në dosjen e aplikimit.

Në këtë proces, rëndësi të veçantë ka konsulenca në hartimin e planit të biznesit dhe pasqyrave financiare, si edhe asistenca e kualifikuar në përgatitjen dhe grumbulllimin e dokumentacionit të nevojshëm”.

Zyrat e konsulencës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shpjegimin e detajuar të kritereve të programit të grantit dhe mbështesin aplikantët për të definuar saktë planin e tyre të investimit.

Fermat dhe agrobizneset që synojnë të dorëzojnë një aplikim të suksesshëm pranë skemës së granteve IPARD duhet të punojnë ngushtë me një zyrë konsulence të specializuar, përndryshe gjasat për sukses do të jenë mjaft “të ulta” bën të ditur Pire.

Tjetër element i rëndësishëm, i konfirmuar nga z. Pire është se lehtësia që programi IPARD u ofron aplikanteve është që kostot e konsulencës janë të rimbursueshme dhe llogariten si pjesë e të gjithë investimit të aplikantit./AgroWeb.org