Një prej modeleve më të suksesshme të biznesit sot janë pikërisht investimet në agroturizëm, të cilat po bëhen gjithnjë e më shumë tërheqëse për mjaft individë në Shqipëri. Krijimi i bujtinave pritëse, që bashkojnë në një eksperiencë të vetme njohjen me natyrën, kulturën, njerëzit, por edhe me produktet tipike vendase, gastronominë apo recetat tradicionale të gatimit, ka bërë që agroturizmet të jenë në fokus të zhvillimit në vendin tonë.

Interesi i turistëve të huaj për traditën dhe natyrën shqipëtare, ka bërë që shumë prej tyre të drejtohen në bujtinat e zonave rurale për të provuar shijet autentike vendase, natyrën e mrekullueshme dhe traditën unike të vendit tonë. Por jo vetëm, çdo ditë e më shumë këto lloj mjedisesh po kthehen në vendet e preferuara edhe të turistit vendas. Një arratisje nga jeta e zhurmshme e qyteteve të mëdha dhe rikthim në traditë, janë arsyet kryesore për secilin prej nesh që të zgjedhë të kalojë fundjavën në bujtinë.

Në kuadër të Projektit Ndërkufitar të financuar nga BE-ja mbi ‘Standardet dhe Certifikimin e produkteve Bujqësore, Ngritja e Kapaciteteve në përthithjen e Fondeve dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë të Agrobizneseve’, 3 bujtina dhe një model kampingu në zonën e Dibrës janë asistuar nga stafi i projektit mbi procedurat e aplikimit në skemat kombëtare të financimeve në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural në Republikën e Shqipërisë dhe programi IDEA duke u shpallur fituese të granteve me një vlerë prej 58,616 Euro, ku vlera totale e investimit shkon në 129,067Euro.

Të pozicionuara në rajonin e Dibrës, këto bujtina gërshetojnë më së miri sigurinë ushqimore me turizmin rural. Si çdo sipërmarrje, edhe Agroturizmi ka të domosdoshëm investimet e vazhdueshme për t’ju përgjigjur dhe përshtaur në kohë kërkesave të tregut. Rritja e kapaciteteve në përthithjen e granteve dhe e nivelit të ndërgjegjësimit mbi mundësitë e financimit, janë faktorë kyç për zhvillimin e Agroturizmit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Krenar Islami (Agroturizëm – Bujtinë), Julian Hupi (Agroturizëm – Bujtinë), Festim Hoxha (Agroturizëm – Bujtinë) dhe Labinot Murrja (Kamping) drejtojnë bizneset e asistuara nga projekti. Përmes mbështetjes së Projektit, këto sipërmarrje kanë mundësinë të zhvillohen duke rritur nivelin e shitjeve dhe të ardhurave, si dhe t’i japin më shumë zë traditës dhe vendit tonë.

Projekti i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Creative Business Solutions, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Dibrës së Madhe synon të forcojë kapacitetet prodhuese të SME-ve në bujqësi dhe qasjen e tyre në treg nëpërmjet Certifikimit me Standardet e Sigurisë Ushqimore, Ngritjes së Kapaciteteve, Aplikimeve në Skemat e Granteve si dhe Strategjive të Marketingut./AgroWeb.org