Shtohet Numri i Produkteve të Certifikuara me GlobalGAP në Rajonin Ndërkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

461 0

Tre agrobiznese të tjera janë certifikuar në rajonin e Dibrës me një prej standardeve ushqimore më të rëndësishmë ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë ushqimore, GLOBALG.A.P, në kuadër të projektit ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Shqipëri, financuar nga Bashkimi Evropian.

Sokol Dovolani dhe Z. Fisnik Dika dy nga kultivuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj të lajthive në Dibër të Madhe, sjellin tashmë në treg produktet e tyre duke mbartur vulën GlobalGAP. Një vizitë në pemëtoret e dy fermerëve mjafton për të kuptuar arsyet e suksesit të tyre. Hapësira të mëdha, të mbjella në formë precize, ku kujdesi dhe respektimi i mjedisit përreth vërehet me sy të lirë, krijon një harmoni të paqtë midis natyrës dhe njeriut. Përkujdesi deri në detaje mbi produktin, përdorimi i plehut organik, përzgjedhja me kujdes e çdo fare, kujdesi për ruajtjen e biodiversitetit në të gjitha hallkat e tij, janë çelësi i suksesit për të dy fermerët, të cilët tashmë nëpërmjet certifikimit GlobalG.A.P ofrojnë garancinë ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë së produkteve të tyre.

Zija Keshi, fermeri i njohur për prodhimin e bimës së Aronias dhe farave Goji Berry, i vetmi kultivues i këtyre dy bimëve me veti të jashtëzakonshme kuruese dhe ushqyese në rajonin e Dibrës në Shqipëri, ka arritur të certifikojë produktet e tij me GlobalGAP. ‘Pas 6-të vitesh aktivitet dhe përkushtim maksimal, certifikimi i arionias dhe farave Goji me GlobaLG.A.P është një nga sukseset më të mëdha për biznesin tim, është hapi i rradhës drejt zgjerimit në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar’ shprehet Z. Keshi.

Certifikata e sigurisë ushqimore GlobalG.A.P zgjeron tregjet potenciale të prodhuesve të vegjël dhe të mëdhenj dhe ndihmon në përmbushjen e kërkesave të sigurisë ushqimore. Për të tre këta fermerë ky është fillimi i një rrugëtimi të suksesshëm kundrejt eksportit në vendet evropiane të cilat janë kërkuese ndaj origjinës dhe cilësisë së prodhimeve. Por jo vetëm kaq, për konsumatorin vendas, produkte të certifikuara me GlobalG.A.P vendosin standarte të reja të njehsuara me ato ndërkombëtare që lidhen me cilësinë dhe sigurinë ushqimore.

Deri më tani, projekti ndërkufitar ‘Standardet dhe Çertifikimi i produkteve Bujqësore, Ngritja e Kapaciteteve në përthithjen e Fondeve dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë të Agrobizneseve’ ka mundësuar certifikimin e 18 Agrobizneseve në rajonin e Dibrës në Shqipëri dhe atë të Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut duke pajisur agrobizneset standardet ndërkombëtare GlobalG.A.P, HACCP, ISO22000 dhe Organik.

Mbi Projektin Ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Projekti i financuar nga BE-ja dhe i implementuar nga Creative Business Solutions, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Komuna e Dibrës së Madhe synon të forcojë kapacitetet prodhuese të SME-ve në bujqësi dhe qasjen e tyre në treg nëpërmjet Certifikimit me Standardet e Sigurisë Ushqimore, Ngritjes së Kapaciteteve, Aplikimeve në Skemat e Granteve si dhe ndërtimin e Strategjive të Marketingut./AgroWeb.org