Birra shqiptare deh rajonin

312 0

Birra nuk është shpikur ndonjëherë. Deri më sot nuk kemi dëgjuar për ndonjë Thomas Edison apo Isac Newton të birrës. Si u shpik, kush e shpiku sot e kësaj dite mbetet enigmë. Por ajo që nuk është enigmë, por fakt është se paraardhësit tanë Ilirët e donin shumë këtë pije këtu e 5000 vjet më parë. Të dhënat historike na tregojnë se ilirët e prodhonin birrën nga elbi dhe e quanin sabaja.

Sabaja ishte një pije aq e veçantë, aq sa disa argumentojë se i bëri ilirët pijedashës të mëdhenj. Sipas Theopompit Ilirët si meshkujt ashtu edhe gratë e tyre: “gjatë gostisë pijshin aq shumë sa deheshin plotësisht dhe burrat u jepshin liri grave të tyne me u përshëndetë me çdo të thirrun tjetër”.

Dhe kjo në fakt shpjegon dhe faktin se pse shqiptarët e duan kaq shumë pijen. E paskemi të trashëguar nga të parët.

“Shqipëria si vend mesdhetar me tradita të vjetra bujqësore e vendosur në afërsi të vatrave të prejardhjes, e ka elbin, një ndër bimët më të moçme, që mendohet të jetë kultivuar që në periudhën e gurit – neolit. Ilirët kanë prodhuar prej tij një pije të thirur « sabaja”, thotë për AgroWeb, professor Ilir Mehmeti.

Elbin ne sot nuk e prodhojmë më, e importojmë, por ama këtë pije interesante të fermentuar vazhdojmë ta prodhojmë dhe ta konsumojmë me shumicë.
Mjafton të shohësh të dhënat statistikore për ta kuptuar. Në Shqipëri rreth 2.1% e popullsisë konsumon alkol çdo ditë, 40% e meshkujve e duan alkolin dhe vetëm 5% e femrave e kanë pikë të dobët. Pasioni për birrën duket të ketë lindur me njeriun, por pasioni për biznesin e birrës ka lindur diçka më vonë në vendin tonë.

Industria e birrës në Shqipëri nisi të lulëzojë në vitet 30, kur nisi prodhimi i birrës Korça e Tirana, të cilat morën respektivisht vendin e emrit të qytetit ku nisën të prodhohen. Por sërish prodhimi i birrës para viteve 1990 ishte në sasi të limituar, duke përmbushur vetëm kërkesat e tregut vendas.

Pas viteve ’90 me liberalizimin e tregut, industria e birrës ishte nga ato industri që shfrytëzoi avantazhet e tregut të lirë, duke u zgjeruar dhe hapur edhe ndaj tregjeve ndërkombëtare. Edhe pse hapja e tregut solli një dyndje të birrave të importit, prodhuesit lokalë arritën të ringrihen duke fituar besimin e konsumatorit duke prodhuar birrë kryesisht të llojit Pilsener dhe shumë pak të zezë.

Sot industria e birrës po përjeton një zhvillim të madh, për shkak dhe të rritjes së prodhimit dhe të eksportit në tregun e huaj.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, eksportet e birrës për 3 mujorin e parë vitit 2016, u rritën me 4.5 herë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht, nga 51.4 ton që janë eksportuar në periudhën Janar-Mars 2015, këtë vit janë tregtuar jashtë kufijve 231.8 ton birrë.

Përsa i përket vlerës monetare, eksportet regjistruan shumën e 24 milionë lekëve, kundrejt 3.1 milionë leke që ishin një vit më parë. Kjo sasi e eksportuar është përqendruar më së shumti në rajon, pasi me ekzistencën e markave të mëdha e të hershme ndërkomëbëtare, prodhuesit vendas kanë hasur shumë vështirësi në gjetjen e tregjeve.

Ndërsa përsa i përket importeve, vijon të kryesojë tregu grek. Sipas të dhënave 42% e importit në 2014-n u siguruan nga Greqia me një peshë leht&eeuml;sisht në rritje krahasuar me një vit më parë, kur Greqia zinte 41% të importeve tona.

Sipas prodhuesve të birrës, aktualisht investimet në këtë fushë në gjithë vendin kapin një vlerë prej 80 milionë eurosh, ndërkohë që janë punësuar rreth 3 mijë persona në prodhim e shpërndarje.

Vlera në total e kontributit të sektorit në arkën e shtetit përmes taksave, gjatë 2014-s arrinte në 15 milionë euro, ndërsa këtë vit rezulton të jetë edhe më i lartë, për shkak të taksave të rritura.
Vitin e kaluar, sipërmarrësit kërkuan në prag të miratimit të paketës fiskale që të rishikohej akciza për birrën. Për markimin e birrës, ata kërkuan që taksa të zbresë 11 herë, nga 22 euro të parashikuara për një mijë njësi në 2 euro.

Por përpos taksave të larta, biznesi i birrës sërish ka marrë të përpjetën. Në treg shihen gjithnjë e më shpesh marka të reja birrash dhe biznesmenësh që duan të investojnë në këtë sektor, pasi kërkesa për këtë pije vazhdon të jetë e lartë edhe pas 5000 vjetësh. Thonë që birra është tregues që Zoti na do dhe na do të lumtur. Ilirët ishin të parët që e kishin kuptuar këtu e 5000 vjet më parë kur krijuan sabajan e që na bënë që ne sort të shijojmë biondem, kuqalashen apo të zezën./AgroWeb.org/