Mishi i Donerave dhe Sufllaqeve Në Rrezik të Ndalohet në Bashkimin Evropian

1.7k 0

Bashkimi Europian po ndërmerr masa strikte që realisht nxjerrin nga tregu mishin e përpunuar që përdoret për doner dhe sufllaqe.

Doner qebabi turk, sanduiçi i shpejtë i pjekur në skarë, i cili është ekuivalenti gastronomik i një hamburgeri amerikan në shumë qytete evropiane, është nën akuzë.

Mishi i përpunuar që përdoret për doner dhe sufllaqe trajtohet paraprakisht me aditivë të quajtur fosfate, të cilat mundësojnë që mishit të mbetet i butë, i njomë dhe plot shije.

Por e ardhmja e këtij lloji mishi të përpunuar është në udhëkryq, pasi ndalimi i fosfateve bën pjesë në planet e Bashkimit Europian për të luftuar sëmundjet e zemrës.

Bashkimi Evropian po përgatit ligje të forta ndaluese për përfshirjen e substancave dhe aditivëve kimikë në ushqimin e konsumatorëve.

Ligjbërësit e BE po citojnë shqetësime shëndetësore bazuar në studimet që lidhin fosfatet me sëmundjen kardiovaskulare, pra sëmundjet e zemrës.

Ndërkohë, pronarët e fast-food-eve, restoranteve dhe grupeve të industrisë thonë se fosfatet janë të nevojshme për të mbajtur mishin të butë dhe plot lëng.

Kundërshtimet e prodhuesve kanë të bëjnë edhe me faktin se disa salçiçe me fosfate lejohen të shiten në BE dhe nuk do të preken nga ligjet që përfshijnë mishin e donerit dhe sufllaqeve.

Çfarë pritet të ndodhë me këtë lloj mishi?

Gazeta më e madhe gjermane Bild ashpër kritikoi planet e BE dhe deklaron se diskriminojnë drejtpërdrejt qebapin dhe sufllaqet.

Sipas Bild, 500 ton mish qebabi dhe sufllaqesh konsumohen çdo ditë në BE dhe 80 përqind e saj prodhohet në Gjermani.

Mediat raportojnë se janë në rrezik rreth 100,000 – 200,000 vende pune.

Ndërkohë, anëtarja i Parlamentit Europian Renate Sommer deklaron:

“Një qytetar i BE konsumon të njëjtën sasi fosfatesh si nga ky mish i përpunuar, ashtu edhe duke pirë 1.5 litra coca-cola.

Ndërkohë ndalohet vetëm mishi i qebabeve dhe nuk penalizohet askush tjetër.’

Disa grupe prodhuesish të mishit të përpunuar të qebabeve dhe sufllaqeve pretendojnë se ky diskriminim po gatuhet me qëllim që të dëmtonjë kryesisht bizneset në pronësi turke.

Komisioni i Shëndetit i Parlamentit Evropian para pak ditësh hodhi poshtë një propozim nga Komisioni Evropian që do të lejonte përdorimin e acidit fosforik, fosfateve dhe polifosfateve në mishin e përpunuar të qengjit, viçit, mishit të lopës apo edhe shpendëve.

Parlamenti Europian do të votojë për çështjen kur ajo të paraqitet në Strasburg brenda dy javëve të ardhshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.