BERZH: Energjia, shtytje për rritjen ekonomike

243 0

Energjia do të jetë sektori që pritet t’i japë një shtysë ekonomisë shqiptare duke bërë që t’i gëzohemi një rritje prej 3.3 % këtë vit dhe 3.5% në vitin 2017.

Parashikimi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për vendin tonë ka qenë shumë premtues, ndërkohë që për shumë vende të rajonit Banka e ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritje ekonomike.

BERZH e sheh ekonominë shqiptare drejt një trendi pozitiv, por jo para se të ketë kaluar edhe disa pengesa siç është lufta kundër informalitetit dhe ulja e kredive të këqija, të cilat janë jetike për rinxitjen e kreditimit në vend.

“Rritja e GDP ka shumë gjasa që të përshpejtohet duket shkuar në 3.3 përqind në vitin 2016, pas ringjalljes së investimeve në vend, në mënyrë të veçantë në sektorin energjetik dhe ndërtimit të Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP)”, thuhet në raportin e fundit të EBRD, mbi Perspektivën Ekonomike Rajonale, të bërë publik dje në Londër.

Gjithashtu në raport thuhet se reforma e qeverisë për të luftuar informalitetin ka nisur të japë rezultate përsa i përket rritjes së regjistrimeve të biznesit, por sfidat në fushën fiskale mbetet e rëndësishme.

Në shtatorin e 2015, qeveria nisi një fushatë të profilit të lartë për të reduktuar informalitetit në ekonomi, dhe disa rezultate janë tashmë të dukshme, thuhet në raportin e BERZH. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare pati një rritje të qëndrueshme, duke përballuar dhe përmbytjet e mëdha në jug të vendit dhe duke pasur një rritje prej 2.6 për qind, Sfidat fiskale mbetet e rëndësishme për Shqipërinë, por programi i FMN-së sipas BERZH duket se e mban vendin në rrugën e duhur.

Kreditimi në vitet e fundit ka pësuar një ngadalësim të konsiderueshëm. Mungesa e tregut të kapitalit ngelet një problem për të siguruar financimin e investimeve të reja, me kosto më konkurruese. “Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë për të nxitur kërkesën dhe ofertën e kredisë. Këto janë masat që synojnë uljen e kostos së financimit, trajtimin e kredive, futjen e normave mbikëqyrëse të kujdesshme në kreditimin në valutë të huaj dhe promovimin dhe ristrukturimin e kredive. Gjithashtu, ne kemi tërhequr vëmendjen e bankave dhe bizneseve që strategjitë e tyre të biznesit të jenë më racionale dhe largpamëse”, është shprehur më herët Guvernatori Sejko.

Ndërkohë një tjetër sektor që ka pasur rritje dhe nga BERZH shihet me potencial zhvillimi, është ai energjetik. Kjo edhe për shkak të reformës së ndërmarrë në sektor dhe interest në rritje të investitorëve të huaj, si dhe ndërtimit të Gazsjellësit Trans Adriatik.

TAP do të investojë 60 milionë Euro në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë. Dhe vlera e përfitimeve nga ky investim ka të ngjarë të shkojë nga 237 milionë në 1.107 milionë Euro gjatë periudhës 20 vjeçare.

Ndërkohë që studime të tjera të TAP tregojnë se vlera e vërtetë mund të jetë edhe më e lartë se kaq. Duke qenë pjesë e këtij projekti, Shqipëria mund te gjejë çelësin për të mbyllur shumë vrima në të njëjtën kohë, duke u bërë jo vetëm një urë për Evropën, por duke gjetur zgjidhje edhe për problemet e zhvillimit ekonomik.

Jo më kot Institucionet Ndërkombëtare, që nga BERZH, FMN apo Moody në parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të këtij viti, janë pozitivë për kontributin që do të japë TAP në rritjen e ekonomisë shqiptare. TAP shihet si një mundësi e artë për vendin tonë si nga ana ekonomike, ashtu dhe ajo politike, duke bërë që vendi të kthehet në një epiqendër të rëndësishme të gazsjellësit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor.

Projektimet e BERZH janë inkurajuese për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, pavarësisht pengesave që i duhet të kalojë, në mënyrë që shifrat e rritjes të jenë soloide jo vetëm në përqindje, por edhe në zhvillim real të ekonomisë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.