Biznesi i Dyshimtë i Maskave Kundër COVID-19 Në Instagram

504 0

Faqet të ndryshme që shesin maska në internet po mbijnë çdo ditë si kërpudha.

Një studim i pavarur i cituar nga prestigjiozja Wall Street Journal thotë se numri i faqeve online që shesin maska në Instagram ka arritur me mijëra dhe shumë syresh mund të jenë jo vetëm mashtrim, por edhe një rrezik serioz për shëndetin.

Studimi në fjalë, të cilin e disponon edhe AgroWeb.org, ka zbuluar se vetëm në këto muajt e fundit kur shpërtheu pandemia e deri në javën e parë të prillit, mbi 10,450 llogari të reja janë hapur në Instagram duke shitur maska mbrojtëse.

Shumë prej tyre, thotë studimi, duken që janë mashtrim. Këto faqe, që dalin rëndom edhe në Shqipëri, shesin dhe reklamojnë çdo ditë maska “të një cilësie të lartë” me çertifikime që nuk dihet kush i ka lëshuar në një kohë kur institucionet janë të mbyllura e të importuara nga vende të ndryshme.

Shifrat online

Shifra e faqeve online është e frikshme. Në vitin 2019, i njëjti studim identifikoi 56,769 llogari aktive në rrjetet sociale që shisnin produkte false të cilat ishin në treg prej 3 vjetësh.

Llogaritë për shitjen e maskave arritën në 10,450 në vetëm 4 muaj.

Platformat Instagram dhe Facebook kanë arritur të eliminojë miliona reklama dhe njoftime për shitje maskash, disinfektantësh, letrash higjenike apo teste  në të dyja platformat.

Megjithatë në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, ky biznes i paçertifikuar po lulëzon ndjeshëm, sidomos në Instagram, i cili ka një shikueshmëri shumë më të madhe dhe siguri më të pakët.

Tregu Dyshimtë I Maskave Në Shqipëri

Në një kërkim të thjeshtë në Instagram me fjalëkyçin “maska” nxorri të paktën 48 faqe në Instagram që shesin maska mbrojtëse dhe të ‘çertifikuara’ kundër koronavirusit.

Faqja më e fundit për shitjen e maskave në Instagram është hapur me 19 Prill, sipas vëzhgimit të AgroWeb.org.

Megjithatë, duke u përpjekur për t’i shpëtuar filtrave të Instagramit, shumë biznese online mbajnë emërtime të tjera por sërish shesin maska, ndaj identifikimi i tyre është i vështirë, por jo i pamundur për autoritetet.

Në njërën prej faqeve, fotografia që përdoret për reklamimin e produktit tregon qartë maska të hapura pa qese mbrojtëse, të vendosura mbi letra kuzhine, gati për t’u shitur.

Kësisoj natyrshëm del në pah frika për aspektin e sigurisë në aspektin e dërgesës së një maske që magazinohet kush e di ku deri në derën e shtëpisë së konsumatorit.

AgroWeb.org kontaktoi me disa faqe online që shesin e reklamojnë maska të tilla se ato janë të sigurta, të çertifikuara  e higjenike.

Nga shumë prej këtyre faqeve mësuam se disa prej maskave qepen në vend ndërkohë që pjesa më e madhe janë të importuara. Sa i përket pyetjes mbi vendin e origjinës, përgjigjet janë evazive.

Megjithatë në të gjitha rastet, premtimi është i njëjtë: maskat janë të sigurta, higjenike dhe na mbrojnë nga COVID-19.

Çmimi i një maske varion në bazë të përdorimit, filtrave dhe specifikave të tjera nga 80 Lekë në  700 Lek nëse është e personalizuar.

Pa masa sigurie

Një lexuese e AgroWeb.org porositi 10 maska në një faqe të tillë në Instagram me cmimin 100 Lekë/copa dhe kur pakoja mbërriti në shtëpi, paketimi ishte shumë problematik dhe përtej cdo mase sigurie.

Maskat ishin të paketuara të gjitha bashkë ndonëse në farmaci ato shiten me paketim individual.

Një rast i tillë nxjerr në pah një aspekt shumë të rëndësishëm të sigurisë që anashkalohet në tregun online të maskave por jo në ato të farmacive të cilat i shesin maskat në bazë të të gjitha standardeve.

Padyshim që disa prej shitësve të maskave online mund të shesin produkte me të vërtetë të sigurta dhe brenda standardeve të sigurisë dhe me një çmim të pranueshëm, por shumica janë mashtrues, sipas studiuesve të Ghost Data, të cilëve u referohet AgroWeb.org

“Konsumatori nuk ka asnjë garanci që produkti i reklamuar në internet është i vërtetë e mbrojtës, pa përmendur këtu rreziqet serioze që i kanosen shëndetit,” shkruhet në raport.

Cila Është Maska Më e Mirë Për T’u Mbrojtur Nga Ekspozimi?

Maskat kirurgjikale një përdorimëshe bllokojnë viruset dhe mikroorganizmat që janë pjesë e stërklave të lëshuara nga një person që qëndron në afërsi me një tjetër.

Mjekët dhe infermierët në linjën e parë të luftës kundër COVID-19 përdorin maskat N95.

Maskat N95 filtrojnë grimcat e dëmshme nga ajri me një diametër prej 0.3 mikronë (njësia matëse e diametrit të një virusi) që do të thotë se janë jo efikase në parandalimin e koronavirusit i cili ka një diametër prej 0.12 mikronë.

Sipas një artikulli të USA TODAY, këto maska konsiderohen si më të mirat për të pasur një mburojë të rrugëve të frymëmarrjes ndaj COVID-19.

Maskat e bëra vetë me shaje të ndryshme lënë hapësirë të nevojshme për penetrimin e virusit, thuhet në lajmin e mësipërm, duke qenë se nuk plotësojnë të njëjtat kritere si maska N95.

Sipas Organizatës Botërore tw Shëndetësisë maskat janë efikase vetëm nëse njeriu i përmbahet rregullave për distancimin e vërtetë social dhe larjes së shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun për mbi 20 sekonda./AgroWeb.org