Bllokohen 150 kg Kos dhe Djathë me Baktere mbi Normën e Lejuar

199 0

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë 390 kontrolleve të kryera në 24 orët e fundit në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore dhe monitorime në kuadër të Task-Forcës kundër përhapjes së COVID-19 kanë njoftuar se në Korçë janë bllokuar 100 kg “kos” dhe 50 kg “djathë kaçkavall”.

Bllokimi është bërë  në një stabiliment “përpunim qumështi”, pasi nga përgjigjet e analizave laboratorike për mostrat e marra, kanë rezultuar me ngarkesë bakteriale (enteriobacterie dhe E.Coli) mbi normën e lejuar të legjislacionit në fuqi, sasi kjo e destinuar për asgjësim.

Asgjwsohen edhe 4.5 ton produkte ushqimore

Gjithashtu sipas AKU në 2 subjekte në Tiranë është bërë asgjësimi i 4.5 ton produkteve ushqimore me kërkesë të vetë subjekteve. Ndërsa në Fier, është marrë masë administrative “Paralajmërim” ndaj 1 subjekti, si dhe në kuadër të Planit të Mostrave janë marrë 16 mostra produktesh ushqimore (domate, kastravecë, patate dhe speca) për analizim laboratorik.

AKU bën me dije se gjatë inspektimeve në qarqet Shkodër, Berat, Fier dhe Dibër janë dhënë këshillime dhe janë lënë detyra ndaj subjekteve që nuk kanë plotësuar protokollet e sigurisë, të tilla si: mungesën e xhamit mbrojtës, mungesën e sinjalistës për distancimin fizik, si dhe afishimin e posterave.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.