Buka, Nën Kërcënimin e Çmimeve të Larta dhe Burimeve të Furnizimit

225 0

Krahas problemeve të brendshme nga konkurrenca, konsumi i dobët dhe mbiinvestimet, industria e blojës këtë vit ndodhet nën presionin e zhvendosjes së burimeve të furnizimit me lëndë të parë (drithëra) për shkak të ndikimit që ka krijuar pandemia COVID-19.

Prodhuesi më i madh i grurit në botë, Rusia, në mes të marsit kufizoi kuotat e eksportit në vetëm 7 milionë tonë për këtë vit. Këto kuota teorikisht janë ezauruar dhe kjo ka rritur çmimin e grurit për tonë në këtë periudhë me 15-17%.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, në fillim të pandemisë dhe me aplikimin e masave kufizuese, tregu i brendshëm u përball me një kërkesë të fortë për miell, teksa transporti nga jashtë u përball me vështirësi.

Para pandemisë, ngarkesat me grurë nga eksporti realizoheshin për 10-15 ditë, ndërsa tani nga 30-45 ditë.

Ai tha se, kufizimet ruse do të sjellin rritje të çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij edhe në tregun vendas, por ai e përjashtoi rrezikun për mosfurnizim të rregullt të tregut.

Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën gjeopolitike dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende të tilla si Italia, Turqia, etj., gjatë pandemisë.

Roland Hysi, i cili drejton “Miell Tirana”, tha se kontraktorët e tij kanë rritur çmimet muajin e fundit me 10% dhe në përgjithësi ekziston një stres në furnizime, por gjithsesi ai e përjashtoi se ka mungesa në miell në tregun e brendshëm.

Hysi evidentoi si probleme të industrisë konkurrencën e fortë nga tregu i brendshëm, për shkak edhe të mbikapaciteteve që kanë fabrikat e blojës në vendin tonë.

Rezervat kërkojnë investime të mëdha

Krijimi i rezervave me grurë përtej harkut të dy muajve kërkon investime të mëdha dhe likuiditete që asnjë nga operatorët e tregut të blojës nuk i disponon aktualisht, tha Haxhiymeri.

Ai tregoi se, në mes të marsit tregu i brendshëm u përfshi nga një panik që u shoqërua me një kërkesë të pazakontë për miell. Fabrikat vendase kishin rezerva të mjaftueshme për të përballuar këtë kërkesë, por ndërkohë krijimi i rezervave të reja për të përballuar një kohë më të gjatë është i vështirë.

Aktualisht fabrikat kanë rezerva deri në dy muaj konsum, teksa importet kanë vijuar me gjithë vështirësitë nga burimet e furnizimit dhe problematikat në transport. “Ne investuam shumë në mars për të përballuar kërkesën e brendshme, ndaj është e papërballueshme për ne që në të njëjtën kohë të investojmë për të krijuar rezerva përtej dy muajve”, tha ai.

54% e importeve të drithërave nga Rusia, embargoja çorienton tregun

Fabrikat shqiptare të blojës po kërkojnë burime të reja të furnizimit me grurë, për shkak se kuotat e lira të eksportit nga Rusia tashmë janë ezauruar. Në vitin 2019, importet ruse zunë 54% të totalit të importeve të drithërave, sipas të dhënave nga INSTAT.

Gjatë vitit 2019, importet e drithërave pësuan një rënie me 2,6%. Kjo rënie, sipas operatorëve të tregut, është nxitur nga mbifurnizimet gjatë vitit 2018 dhe nga kërkesa më e ulët në vitin 2019, si pasojë e rënies së popullsisë.

Eksportet nga Rusia shënuan rritje më 2019, duke rritur peshën e tyre në 54% të totalit nga 47% që ishte më 2018.

Burimi i dytë më i madh i furnizimit me drithëra është Serbia, importet e së cilës zunë 35% të totalit më 2019, duke shënuar ulje në raport me vitin 2018, kur ato zinin 42% të totalit të importeve.

Vitet e fundit, për shkak të çmimit më të lirë, Serbia u bë një burim i madh furnizimi me drithëra i vendit tonë, mirëpo cilësia e grurit serb është e diskutueshme.

Sipas mediave vendase, bazuar në shitjen e farës së këtyre varieteteve në prodhimin e përgjithshëm, pjesa e grurit të cilësisë së lartë në prodhimin e përgjithshëm është vetëm 20 deri në 25%.

Problemi është se nuk ka ndarje të grurit sipas kualitetit në magazinat serbe. Kur llojet e grurit të cilësive të ndryshme përzihen, rezultati përfundimtar është gruri i një cilësie mesatare ose nën mesatare, raportojnë mediat vendase.

Qershori, muaji i vështirë

Qershori konsiderohet si muaji më i vështirë për tregun e drithërave, pasi rezervat e vjetra janë drejt fundit, teksa korrjet e reja nuk kanë nisur. Adi Haxhiymeri tha se, qershori do të sjellë rritje të çmimit të grurit në tregun global.

Magazinat nuk kanë shumë rezerva për shkak të kërkesës së pazakontë që nxiti pandemia COVID-19. Në muajin korrik nisin korrjet e reja, por çmimi sërish do të jetë i varur nga sjellja e prodhuesve të mëdhenj.

Nëse Rusia do të rrisë kapacitetet e magazinimit, do të tentojë të mbajë çmime të larta dhe të vijojë embargon e grurit. Kështu ndodhi edhe para 10 vitesh, kur çmimi i një toni grurë i kaloi të 550 dollarët për shkak se Rusia vendosi masa kufizuese në import./Marrë me shkurtime nga Monitor