Cilat Janë 11 Produktet Tradicionale Shqiptare me “Markën e Cilësisë”

901 0

Gështenja e Malësisë së Madhe, Mjalti i Gështenjës së Tropojës, Mjalti i Gështenjës së Malësisë së Madhe, Boronica e Bjeshkëve të Tropojës, Boronica e Bjeshkëve Kuksiane, Jufka Dibrane, Mjalti i Gështenjës së Reçit, Mishi i Dhisë së Hasit, Uji Korabi, Uji Glina dhe Vaji i prodhuesve nga Borshi, janë 11 produktet tradicionale shqiptare që kanë markën e cilësisë.

Blendi Çuçi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, u shpreh në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, se kuadri ynë ligjor për markat e cilësisë është i rregulluar pjesërisht nga ligji për pronësinë industriale, dhe ka pasur mangësi në aspektin institucional dhe administrativ, dëshmi e së cilës është fakti, që sot kemi vetëm 11 produkte që bëjnë pjesë në markat e cilësisë.

Çertifikimi i Produkteve Bujqësore 

Gjatë diskutimit në komision, të projektligjit për “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, ministri Çuçi shpjegoi se, ndryshimet që paraqesim plotësojnë një boshllëk ligjor dhe i hap rrugë njohjes dhe certifikimit të produkteve bujqësore agroushqimore me tre sisteme kryesore të përafruara me BE-në që janë:

Emërtimi i Origjinës së Mbrojtuar (EOM), Treguesi Gjeografik i Mbrojtur (TGJM) dhe Speciaiteti Tradicional i Garantuar (STG).

Ndryshimet në Ligj 

“Ndryshimet në pr.ligj synojnë ngritjen e strukturës përkatëse në dikasterin e Bujqësisë që plotëson hallkat proceduriale në regjistrimin e tre hallkave të lartë përmendura të cilësisë për produktin, që i hap rrugë pajisjes së produktit me markën e cilësisë”, tha Çuçi.

Projektligji vjen në frymën e një politike të re të qeverisë, për t’i hapur rrugë promovimit të produkteve tradicionale dhe lokale.

“Fokusi dhe vlerësimi i karakteristikave unike të produkteve shqiptare bëhet sipas një eksperience dhe praktikave të vendeve të BE.

Ky është një hap i parë pozitiv drejt ndërtimit të sistemeve të cilësisë në produktet shqiptare”, deklaroi ai. (Burimi: ATSH)