90 përqind e vdekjeve në Shqipëri shkaktohen nga shkaqe natyrore, pra nga sëmundjet e ndryshme.

Këto janë shifrat e raportit të fundit të INSTAT të cilit i referohet AgroWeb.org.

Në 2017, 11.926 vetë kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të zemrës, me 2.5% rritje nga një vit më parë.

Po me hapa kaq të frikshëm, është rritur numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të tumoreve të ndryshme, me 2.1%.

Statistikat janë rritur ndjeshëm kur flitet për sëmundjet kockave dhe kyceve, me rritje 42.3%, sëmundje të frymëmarrjes apo të sistemit nervor

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, grup-mosha më e prekur nga sëmundjet e zemrës, me 84.8% është ajo mes 50-80 vjeç.

Nga tumoret janë më të rrezikuar personat nga 40-49 vjec, me 38.6% të numrit të vdekjeve.

Në 2017-ën, numri më i lartë i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës është shënuar në Berat dhe Kukës, me mbi 60%.

Ndërkohë në Shkodër është shënuar numri më i lartë i vdekjeve për shkak të tumoreve.

Në Lezhë, numri më i lartë i vdekjeve është shënuar për shkak të dëmtimeve traumatike dhe helmimeve.

Ndërsa Elbasani është në krye për numrin e vdekjeve nga simptoma e sëmundje të papërcaktuara mirë.

Shkaqet e Rritjes së Sëmundjeve

Sipas mjekëve, stili i jetesës apo ushqimet e gatshme me aditivë, kanë rritur sëmundshmërinë.

Sëmundjet e zemrës, diabeti, anemitë dhe tiroidja janë katër sëmundjet më të evidentuara së fundmi.

‘Rezultatet që dalin nga kontrolli bazë mjekësor ka evidentuar raste të shtuara me sëmundje të ndryshme, të cilat pacientët nuk i dinin që i kishin’, ka deklaruar së fundminë një intervistë për Top Channel, Dr. Diana Hysi, mjeke familjeje.

Problemet kardiovaskulare dhe diabeti, përveçse sëmundshmëri në rritje, po prekin edhe moshat e reja.

“Mund të zbulohen sëmundshmëri të ndryshme të gjakut apo edhe anemi të vendosura prej kohësh që njerëzit nuk i dinë.

Pothuajse muaj për muaj kam raste të reja të zbuluara nga check up-i me diabet. Përveç diabetit, janë anemitë e ndryshme.

Sëmundjet kardiovaskulare, kemi pasur probleme që e ka bërë ekagenë. Apo sëmundjet e tiroides së fundmi”, thotë mjekja Diana Hysi.

Edhe sëmundjet e veshkave apo anemitë në gjak nuk mbeten më pas.

“Ka pasur goxha raste të tilla që nuk e ka ditur, sepse pamjaftueshmëria e veshkës në fillimet e saj nuk të jep asnje klinikë, asnjë shqetësim, ti nuk kupton asnjë gjë.

Kjo është e gjithë benefiti që marrim ne nga një analizë paraprake që ia japim pacientit dhe kur ai ndjehet mirë.

Është më e mira të parandalosh, sesa të mjekosh”, vijon doktoresha.

Mjekët thonë se ende në popullatën shqiptare nuk është krijuar eduakata mjekësore për kontrolle rutinë tek mjeku edhe kur nuk ndjen ndonjë shqetësim shëndetësor./AgroWeb.org