Cilët Janë Bizneset Më Fitimprurëse Në Shqipëri

975 0

Fitimi është arsyeja apo qëllimi pse një ndërmarrje ekonomike ekziston. Për bizneset shqiptare viti 2018 nuk solli asnjë ndryshim për sa i përket fitimeve.

Për një pjesë të tyre, ato u bënë më të mundimshme për tu realizuar.

Ndër arsyet kryesore “të mundit” për të realizuar fitime, aktorët e tregut listojnë: rritjen e konkurrencës, zhvlerësimin e euros për eksportuesit, informalitetin dhe konkurrencën e pandershme, rritjen e taksave apo edhe ndryshimin në strukturimin e ekonomisë.

Norma e fitimit

Nga ana tjetër, normat e fitimit për shërbimet, të cilët renditet sektori i tretë për nga madhësia, shënuan ulje me 2 pikë përqindje në raport me një vit më parë, nga 14% në 12%.

Normat e fitimit për industrinë përpunuese as vitin 2018 nuk arritën që të kapin një shifër dyshifrore, duke mbetur në nivelin e 9%, rreth 1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Fitimet më të mundimshme mbetën për sektorët e akomodimit dhe shërbimit ushqimore dhe tregtisë.

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimore, uli normën e fitimit nga 17% në 2013-n në 7% në vitin 2018. Kurse tregtia, ku përfshihen aktivitetet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, realizoi një normë fitimi prej vetëm 6%, më i ulëti sipas sektorëve për 2018-n.

Patundshmëria, ku “fitohet” paraja më lehtë

Bizneset me aktivitet në fushën e pasurive të paluajtshme, bazuar në të dhënat e INSTAT mbi të ardhurat nga shitjet dhe fitimi, raportuan një normë fitimi prej 19%.

Thuajse një e pesta e të ardhurave që ato kanë realizuar nga aktiviteti ka përbërë fitimin e tyre.

 Fitime të qëndrueshme për ndërtimin

Sektori i ndërtimeve prej vitesh ruan një normë fitimi që luhatet nga 10-12%, të paktën që prej viti 2013 nuk ka pasur ndryshime të mëdha për kompanitë, që operojnë në këtë sektor.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2018 norma e fitimit për bizneset me aktivitet në fushën e ndërtimit ishte 11%, me një rritje prej 1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë.

Më e vështirë të fitosh për fasonët

Në krahasim me vitin 2013 realizimi i fitimeve u bë më i vështirë në disa sektorë dhe aktivitete të ekonomisë.

Një prej tyre ishte edhe sektori i tekstileve dhe veshjeve. Bizneset qe operojnë në këtë sektor panë një rënie të normave të fitimit me 5 pikë përqindje.

Në 2013 një kompani me ketë fushë aktivitet priste që për çdo 100 lekë të ardhura, të merrte 15 lekë, sot merr 10.

 Ulen fitimet për restorante

Restoranteve duket se nuk iu ka ecur edhe aq mirë së fundmi. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se bizneset e shërbimit ushqimor kanë njohur rënie të normës së fitimit me 11 pikë përqindje.

Duke analizuar të dhënat në vite, në vitin 2013 një biznes i shërbimit ushqimore kishte një normë fitimi prej 19%, pra rreth 1 e pesta e të ardhurave ishte fitim për biznesin.

Sa pak fitojnë hotelet

Bizneset me aktivitet akomodimin, ku përfshihen hotelet, bujtinat, etj, kishin një normë fitimi prej vetëm 2% në vitin 2018.

Të dhënat historike nga INSTAT tregojnë se normat e fitimit kanë rënë edhe për njësitë akomoduese, ku krahasuar me vitin 2013 janë rreth 6 pikë përqindje më pak.

Në vitin 2018, ndërmarrjet që operonin me aktivitet në fushën e akomodimit patën një rritje dyshifrore prej 13.4%, duke arritur në një numër total prej 1459 strukturash. Krahasuar me vitin 2013 numri i tyre është dyfishuar.

Agjencitë e udhëtimit

Fitimet nuk kanë qenë aspak të lehta as për agjencitë e udhëtimeve, duke u rreshtuar ndër bizneset me normat më të ulëta të fitimit.

Sipas përllogaritjeve të Monitor, për çdo 100 lekë shitje ato fitonin vetëm 4 lekë gjatë 2018-s. Fitimet janë bërë të vështira për kompanitë edhe pse shqiptarët po udhëtojnë më shumë./Marrë me shkurtime nga Monitor