Covid 19, bilanci i pandemisë përgjatë një viti në Shqipëri

195 0

Në 9 Marsin e një viti më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë për të njoftuar se “laboratori virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, ka konfirmuar mesnatën e mbrëmshme dy raste me COVID 19”. Babë e bir, të cilët kishin vizituar Italinë në fundt të muajit shkurt dhe kishin hyrë në Shqipëri nga pika e Murriqanit, bëhen shqiptarët e parë të prekur nga Koronavirusi. Dy ditë më pas, u rregjistrua dhe vdekja e parë, një 73 vjeçare e cila humb jetën në spitalin e Durrësit. Tani, 12 muaj më pas, vendi numëron mbi 114 mijë të prekur dhe 1.969 viktima.

Në një situatë ku e gjithë bota, nuk e kishte ende të qartë panoramën e asaj që e priste, edhe Shqipëria ju drejtua menjëherë masave kufizuese që shkuan deri në një mbyllje totale të vendi dhe kufizime drastike të lëvizjeve, të cilat qëndruan në fuqi për disa javë duke u zbutur më pas gradualisht, aq sa në fund të tre muajve të parë, vendi iu rikthye thuajse plotësisht hapjes. Në total ishin 1299 raste të rregjistruara nga të cilët vetëm 305 ishin ende aktivë.

Pas tre muajsh vetëm 34 persona kishin humbur jetën.

Por këto shifra u shumëfishuan me shpejtësi në muajt që pasuan. Në fund të tremujorit të dytë (9 Qershor – 9 Shtator) numri i të prekurve thuajse u tetëfishua duke u ngjitur në kuotën e 10.704 të infektuarve. Edhe numri i viktimave gjithashtu gati u dhjetëfishua duke shkuar në 322 persona të vdekur. Gati gjysma e tyre u regjistruan vetëm gjatë muajit gusht.

Rastet e reja e po ashtu dhe viktimat vijuan të shtohen me shpejtësi edhe më të madhe në tremujorin e tretë (9 Shtator – 9 Dhjetor). Numri i të prekurve u rrit me gati 35 mijë të infektuar të rinj, duke e çuar totalin në 45.198 raste. Po në këtë periudhë u rregjistruan 629 humbje jete, duke e çuar në 951 totalin e viktimave.

Përkeqësimi i situatës detyroi autoritetet që në fillim të Tetorit të urdhërojnë mbajtjen e detyrueshme të maskave.

Mësimi në universitete u vendos të zhvillohet online, ndërsa në fillim të Nëntorit, në të gjithë vendin u rikthyen dhe kufizimet në qarkullim nga ora 22.00 deri në 06.00 të mëngjesit.

Një përmirësim i lehtë i situatës u vu re në fundin e muaijt Dhjetor dhe fillimin e Janarit, për t’ju rikthyer rritjes me ritme të larta të rasteve të reja, viktimave dhe shtrimeve në spitale. Kufizimet u ashpërsuan më tej në mesin e muajit shkurt, me një zgjatje të orarit të ndalim-qarkullimit, duke nisur nga ora 20.00 e mbrëmjes, ndërsa për të përballuar fluksin e pacientëve përveç 4 spitaleve të hapura në Tiranë, u vunë në dispozicion dhe tre spitale rajonale. Gjatë tremujorit të fundit (9 Dhjetor – 9 Mars) shifrat pësuan një rritje të fortë, me 69 mijë raste të reja, ose 60 përqind të totalit që nga nisja e pandemisë. Po ashtu dhe viktimat ishin në nivele të larta, duke rregjistruar 1018 humbje jete, të barabarta me pak më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga Koronavirusi që prej 9 Marsit të vitit të kaluar.

Që prej muajit Janar, ndonëse me ritme të ulta, Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit. Deri të martën ishin bërë gati 21 mijë vaksinime dhe sipas ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, brenda javës përmbyllet procesi me personelin e sistemit shëndetësor./Burimi:Zeri i Amerikes