“Kapacitetet e terapisë intensive në aparatura jetëshpëtuese janë rritur me 50% për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19”. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë ceremonisë së dorëzimit të dhjetë respiratorëve të rinj nga ambasadori i Gjermanisë në Tiranë.

Duke vlerësuar kontributin e shtetit gjerman, znj. Manastirliu u shpreh se po merren masa për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, me disa skenarë.

Përballimi i Situatës

“Falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, Bashkimit Europian dhe partnerëve të tjerë kemi arritur të dyfishojmë flotën e aparaturave në terapinë intensive. Jemi përpara një situate e cila është serioze. Kemi rreth 200 pacientë të shtruar në të dy spitalet Covid.

Por falë angazhimit të qeverisë, për të fuqizuar kapacitetet spitalore, vetëm në skenarin e parë ne kemi të dedikuar më shumë se 500 shtretër në dispozicion të qytetarëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor. Në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi forcuar akoma më shumë kapacitetet e spitaleve rajonale, duke dyfishuar shtretërit në dispozicion të trajtimit të Covid19”, tha Manastirliu.

Ajo pohoi se autoritetet do të intensifikojnë kontrollet në terren, në shkolla, aktivitete biznesi, për të parë respektimin e masave anticovid.

“Kjo nuk është një luftë që fitohet vetëm me rritjen e kapaciteteve, por ka shumë rëndësi sjellja e qytetarëve. Strukturat tona po vijojnë punën në terren për të monitoruar zbatimin e masave antiCOVID në aktivitete biznesi, në shkolla dhe në aktivitete të tjera, pasi është shumë i rëndësishëm zbatimi i masave, për të patur një ecuri të kontrolluar të epidemisë”, shtoi ajo.

BE, në krah të Shqipërisë

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf tha se Bashkimi Europian do jetë në krah të Shqipërisë.

“Jam shumë i kënaqëur për ndihmën e vazhdueshme nga vendet e Bashkimit Europian që treguan edhe një herë se janë aleatë të ngushtë të Shqipërisë. Edhe shtete të veçanta si Gjermania kanë ofruar akoma më shumë ndihmë, siç është kjo e sotmja me aparatura të teknologjisë së lartë për frontin e luftës kundër pandemisë, për të rritur nivelin e punës së stafit mjekësor”, tha ambasadori gjerman gjatë ceremonisë së dorëzimit të respiratorëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Plani vjeshtë-dimër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e COVID19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale./Euronews Albania