Covid 19 – Paralajmërimi i OKB për Sistemin Shëndetësor Shqiptar

229 0

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në një raport të fundit për planin e përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19 ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor në vend rrezikon të mbingarkohet nga pandemia e Covid-19.

Kjo mund të bëjë që të ulet vëmendja ndaj sëmundjeve të parandalueshme dhe trajtueshme dhe si rrjedhojë vdekjet prej kësaj të fundit t’ia kalojnë humbjeve të jetëve, që po shkaktohen nga pandemia.

“Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mund të tejngarkohet së shpejti nga pandemia e COVID-19, nëse nuk mbështetet si duhet. Siç theksohet edhe në Analizën e Situatës, vdekjet nga vetë pandemia mund të tejkalohen së shpejti edhe nga vdekjet për shkak të sëmundjeve të parandalueshme ose të trajtueshme, gjë nuk do të menaxhoheshin dot më tej për shkak të mosfunksionimit të sistemit shëndetësor”, thuhet në raport.

Trajtimi i Sëmundjeve të Tjera

Raporti thekson rrezikun që të anashkalohet trajtimi i sëmundjeve të tjera. Këtu ndikon ndër të tjera dhe fakti që një pjesë e mirë e buxhetit është riaolokuar për Covid-19 dhe është ulur vëmendja për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të tjera.

“Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022.

Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë.

Buxheti i Shëndetësisë në Shqipëri

Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike.

Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, thuhet në raport.

Shtylla kryesore e Planit të përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19 është ajo e shëndetit. E titulluar “Shëndeti i pari”, reagimi i Kombeve të Bashkuara në mbështetje së pari të Shëndetësisë./Monitor