COVID-19 Pritet të Përhapet më Shumë Gjatë Javës së Dytë – Këshillat Nga Urgjenca Kombëtare

315 0

Jemi në ditën e katërt nga momenti i konfirmimit të personit të parë që është prekur nga koronavirusi COVID-19 në Shqipëri.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga të gjitha instancat zyrtare mjekësore, numri i të infektuarve ka arritur në 15.

Jo më larg se dje në mbrëmje shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, konfirmoi për ‘Real Story’ se shifrat priten që të rriten gjatë javës së dytë.

‘Ritmi përputhet me ecurinë e vendeve të prekura. Java e parë është edhe bumi i parë’, u shpreh ai.

Sipas të dhënave të Urgjencës Komëbtare qytetarët më pas fillojnë dhe ndërgjegjësohen.

Studiuesit italianë dhe kinezë, nga ku bazohen edhe mjekët Shqiptarë, kanë përcaktuar 5 grupe të infektuarish.

Diçka e tillë do të implementohet edhe në spitalet e Shqipërisë, kështu do të përballohet fluksi i javës që do të vijë.

Përsa i përket gjendjes të së prekurve të shtruar në pavijonin infektiv të QSUT, Brataj pohoi se babai i pacientit zero kishte shumë probleme.

‘Qytetari në fjalë ka patur histori të prblemeve pulmnare dhe ka pirë duhan për shumë vitë’, deklaroi Brataj.

Sipas të dhënave të mjekëve që po kujdesen për të, niveli i oksigjenit në gjak ishte brenda limitit të normës.

Kreu i Urgjencës Kombëtare kishte edhe një thirrje për të gjithë qytetarët në lidhje me kontaktimin e numrit 127.

Ai theksoi se vetëm gjatë ditës së djeshme në këtë numër kishin ardhur rreth 100 mijë thirrje.

Problemi qëndron tek ata qytetarë që telefonojnë disa herë, duke krijuar një ngarkesë.

Ndaj dhe kërkoi pak më shumë përgjegjësi nga qytetarët pasi numri 127 është për të ndihmuar personat me probleme të vërteta.

Deri më tani mbeten ende 15 raste të konfirmuara, por kjo shifër pritet të rritet gjatë drekës ose darkës sipas Brataj./AgroWeb.org