Domatet e Vogla Të Tropojës – Shija Që Rrezikon Zhdukjen

847 0

Bima e domates është një nga më të famshmet në fermat shqiptare.

Ky frut është kultivuar për dekada të tëra dhe prodhimi i saj ka mundësuar që Shqipëria të renditet ndër vendet eksportuese në botë.

AgroWeb.org në kërkimet e tij ka zbuluar që në vendin tonë ekziston edhe një tjetër lloj domateje, e cila mbase është më pak e njohur.

Kjo domate rritet në Tropojë, më përkatësisht në Lekbibaj të Nikaj-Mërturit.

Në këtë zonë domatja kokërr vogël njihet ndryshe si ‘Domatja e Gabelit’, dhe është trashëguar brez pas brezi.

Farat e saj janë kultivuar në këto troje për të paktën 70-80 vite, duke zënë rreth 5-10% të sipërfaqes së tokave të mbjella.

Kushtet për të kultivuar këtë domate

Sipas të dhënave të AgroWeb.org kjo domate mbillet në ngastra tarrace të sheshta.

Toka që nevojitet për këtë bimë duhet të jenë të pasura dhe të jenë të ekspozuara nga dielli.

Pozicioni i mbjelljes së kësaj domateje duhet të favorizoj një ujitje të shpeshtë.

Kjo domate mbillet në fillim të Majit dhe prodhimi nis pas 8-10 javësh, në fund të Qershorit e deri në fillim të Korrikut.

Sugjerohet të mbillet në Maj, pasi është pikërisht momenti kur ngricat e fundit largohen.

Pasi domatja lëshon kokrrat e vogla ato kur arrijnë pjekjen e plotë marrin një ngjyrë të kuqe të plotë, sipas ekspertëve Sokrat Jani dhe Fetah Elezi.

Kjo domate shquhet pr shijen e saj të veçantë e cila është pak më e ëmbël se e domateve të zakonshme.

Faktori kryesor i cili ndihmon që kjo domate të rritet në zona malore, është se arrin të durojë temperaturat e ulëta.

Kjo domate është perfekte për t’u konsumuar e freskët nëpër sallata por gjithashtu edhe për salcë pasi tuli i saj është i plotë.

Zakonisht kjo domate ka qenë pjesë e tregut lokal, por sipas ekspertëve Sokrat Jani dhe Fetah Elezi, kjo domate është në rrezik për zhdukje./AgroWeb.org