Të paguash fëmijët që të hanë më shumë perime?

369 0

Perimet janë të domosdoshme për të gjithë, veçanërisht për fëmijët. Por çdo prind e di sa e vështirë është që të bindësh një fëmijë që të hajë brokolin me dëshirë. Brokoli, kjo perime fantastike që ngjan si një pemë e vogël, për fëmijët nuk ka të njëjtin impakt, sidomos kur mësohen me ushqime të shpejta, me shije artificiale dhe yndyrë siç janë patatinat, djathrat apo akullorja.

Përballë këtyre produkteve, brokoli nuk ka asnjë shans. Atëherë, si mund të bindësh fëmijët që të hanë më shumë perime? Një studim ofron një zgjidhje të çuditshme: fëmijët duhen paguar që të hanë më shumë perime.

Studimi i publikuar në Revistën mbi Ekonominë e Shëndetit ka studiuar plot 8,000 nxënës në 40 shkolla fillore. Këto fëmijë u paguan me një shumë të vogël parash për çdo racion me fruta ose perime që konsumuan në drekë. Këto monedha duheshin përdorur vetëm për blerjen e librave, në dyqanet e shkollave apo aktivitetet e organizuara nga shkolla. Në fillim të eksperimentit, vetëm 39 përqind të fëmijëve konsumonin një racion frutash ose perimesh në drekë.

Shkollat që zbatuan këtë iniciativë për 3 javë vunë re një rritje dramatike në konsumimin e perimeve dhe frutave edhe pasi pagesa përfundoi. Specialistët thanë se konsumimi i frutave dhe perimeve u rrit me 21 përqind në javët pas eksperimentit.

Shkollat që e zbatuan iniciativën për pesë javë, vunë re se konsumimi i frutave dhe perimeve u rrit me 44 përqind në 2 muajt pas mbarimit të eksperimentit.

Studimi sugjeroi së një program afatshkurtër është efikas në formimin e një zakoni të shëndetshëm të të ngrënit tek fëmijët.

Në vazhdën e një epidemie të rrezikshme obeziteti që ka goditur fëmijët në mbarë botën, ngrënia e perimeve dhe frutave është një lajm shumë i mirë. Ne jetojmë në një epokë ku majoneza, keçapi ose patatet e skuqura konsumohen gjërësisht mes fëmijëve. Është një fenomen i tmerrshëm. Fëmijët kanë nevojë të heqin dorë nga ushqimet e përpunuara dhe të ushqehen shëndetshëm. Kjo është një nga betejat më të rëndësishme për çdo prind.

Por a qëndron fitorja tek ky sistem pagesash? Nëse fëmija juaj nuk i duron barishtet dhe perimet, ndoshta kanë nevojë për një shtysë që t’i shohin këto produkte me sy të mirë dhe më pas t’i bëjnë ato pjesë të dietës së tyre të rritjes dhe zhvillimit.

Megjithatë, duhet patur kujdes. Një iniciativë e tillë nuk duhet të zgjasë për disa muaj ose vite sepse efektet mund të jenë të dëmshme. Fëmija mund të krijojë varësi tek marrja e parave dhe të mos pranojë të hajë perime pa u paguar më parë.

Gjasat janë të mëdha që fëmija të bojkotojë të gjitha perimet nëse prindi nuk vazhdon të paguajë për disa muaj apo vite. I gjithë qëllimi i kësaj iniciative është që të mos krijojë varësi, por thjesht t’i tregojë rrugën fëmijës. Me kalimin e ditëve, prindi mund të kalojë nga dhënia e parave në shpërblime dhe bonuse të formave të tjera, që të bindë fëmijën të hajë sa më shumë perime. Me pak praktikë, ngrënia e frutave dhe perimeve do të kthehet në traditë për ta.

Çfarë mendoni? A do të ishit të gatshëm të paguani fëmijët tuaj të hanin më shumë perime nëse një gjë e tillë do t’i ndihmonte ata të hanin më shumë gjëra të shëndetshme? Apo mos vallë preferoni iniciativa jo-monetare? Ndani mendimet tuaja në faqen Facebook të AgroWeb.org