E Ardhmja e Turizmit të Aventurës Që Po i Reziston Pandemisë

405 0

Në shtator, Organizata Botërore e Turizmit, në partneritet me Oliver Wayman, publikuan një raport që titullohej “Drejt rimëkëmbjes dhe përtej: e ardhmja e udhëtimit dhe turizmit në kushtet e COVID-19”.

Publikimi përfshin të dhëna të përgjithshme mbi efektet e pandemisë dhe ato që do të vazhdojë të ketë edhe në të ardhmen.

Studimi nxjerr në pah se preferencat dhe sjelljet për udhëtimet janë zhvendosur drejt familjares, së besueshmes dhe të parashikueshmes.

Me pak fjalë, kjo do të thotë pushime brenda vendit, planifikim i detajuar, mbizotërues do të jenë ambientet e jashtme dhe koha që kalohet në aktivitete jashtë strukturave.

Kjo në një afat të shkurtër.

Një situatë të ngjashme e parashikoi edhe Shoqata e Tregtisë dhe Udhëtimeve të Aventurës e cila theksoi se 63% e udhëtarëve të aventurës po planifikonin të udhëtonin brenda vendit në udhëtimin e tyre të radhës.

Të njëjtët udhëtarë po kërkojnë destinacione të sigurta dhe çlodhëse, me natyrë dhe aktivitete jashtë hotelit.

Anketa doli në përfundimin se 72% e udhëtarëve të aventurës po planifikonin aktivitete në natyrë dhe ambiente të jashtme si ecje, ngjitje apo çiklizëm e kamping.

Nga ana tjetër, teksa në një anketë të mëparshme turistët e aventurës ishin të interesuar të vizitonin zona rurale e fshatra apo resorte përreth, këtë herë, interesi ishte për parqe kombëtare të natyrës rezervate, destinacione me sa më pak vizitorë.

Tendenca është për pushime në grupe sa më të vogla, kurse më parë, ndërveprimi dhe grupet e mëdha.

Pushuesit vendas nuk i zëvendësuan dot të huajt, turizmi u përgjysmua, Veriu më i godituri

Kufizimet për shkak të situatës së COVID-19 bënë që Shqipëria të përjetonte një turizëm të dobët në sezonin veror, me gati përgjysmim të tij. Të dhënat e Institutit të Statistikave, nëpërmjet Anketës së Turizmit “Strukturat Akomoduese”, në tremujorin e tretë të vitit 2020 tregojnë se numri i vizitorëve në këto struktura gjithsej është ulur me 43,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019. E njëjta tendencë në ulje është shfaqur edhe për net-qëndrimet, tregues i cili është ulur me 44,9%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Në raport me atë çfarë kanë zgjedhur turistët kur vjen fjala te bregdeti apo mali, dominon i pari, pasi 79% e tyre kanë zgjedhur detin. Nga ana tjetër, Jugu mbetet rajoni më i vizituar, ku 42.1% e net-qëndrimeve në këtë tremujor ka qenë pikërisht në këtë rajon.

INSTAT vlerëson se nëse do të analizojmë sjelljen e vizitorëve rezidentë nga net-qëndrimet, vërehet se vizitorët rezidentë shqiptarë kanë zgjedhur të pushojnë gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator në rajonin e Jugut, duke shpenzuar 5,3% net-qëndrime më shumë, në Zonat Bregdetare duke shpenzuar 10,7% net-qëndrime më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Nga ana tjetër, Veriu ka marrë goditjen më të madhe me një rënie të net-qëndrimeve me mbi 50%. Efekti negativ në frekuentimin e Veriut ndihet edhe për faktin që përfshin disa prej pikave më interesante malore të cilat zakonisht frekuentoheshin nga të huajt, që për këtë sezon nuk mundën të vinin. Çekët, polakët, gjermanët apo grupe të tjera të organizuara, ndër vite kanë qenë ndër vizitorët më të mëdhenj të Veriut, kryesisht Theth e Valbonë.

INSTAT vlerëson se në tremujorin e tretë 2020, është shënuar rënie e numrit të vizitorëve ku numri i vizitorëve rezidentë është ulur me 9,2%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019, ndërsa numri i vizitorëve jo-rezidentë është ulur me 59,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Nëse do të analizojmë vizitorët rezidentë, sipas rajonit, afërsinë me bregdetin dhe llojin e strukturave akomoduese, treguesi që nuk ndjek këtë ecuri është numri i vizitorëve rezidentë, të cilët kanë pushuar në Rajonin e Jugut duke u rritur me 0,4%, në Zonat Bregdetare është shënuar rritje me 25,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm” thuhet në anketë.

“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë tremujorit të tretë 2020, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 19,2%, kundrejt 38,2% që ishte në tremujorin e tretë 2019. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 18,4%, kundrejt 43,4% që ishte në tremujorin e tretë 2019” thuhet në publikimin e INSTAT.