Ecuria e vaksinimit, Shqipëria mbetet ende nën mesataren europiane

374 0

Ndonëse ritmet e vaksinimit kanë qenë të larta dy muajt e fundit, sërish Shqipëria mbetet shumë më poshtë se pjesa më e madhe e vendeve të Europës dhe mesatarja europiane për imunizimin e popullatës nëpërmjet administrimit të dozave të vaksinave.

Sipas të dhënave të Worldindata, të përditësuara deri në datën 4-5 maj, në Shqipëri ishin dhënë 19.3 vaksina për 100 banorë, në krahasim me 32.3 që është mesatarja europiane dhe rreth 36, që është mesatarja e Bashkimit Europian dhe pak më lart se mesatarja globale prej 15.5.

Worlindata mat numrin e përgjithshëm të dozave të vaksinimit të administruara për 100 persona në popullsinë totale. Kjo llogaritet si një dozë e vetme dhe mund të mos jetë e barabartë me numrin e përgjithshëm të njerëzve të vaksinuar, në varësi të regjimit specifik të dozës (p.sh. njerëzit marrin doza të shumëfishta).

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, në vend, deri në 5 maj janë kryer në total 538,565 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Mbi 419,246 vaksinime janë për persona mbi 60 vjeç. Deri më 4 maj, mbi 100 mijë të vaksinuar me dy doza.

E para në Europë ka kaluar Malta, që ka administruar 80 doza për 100 banorë. Mbretëria e Bashkuar vijon të ruajë ritme të larta, me 75 doza për 100 banorë, e ndjekur nga Hungaria që e ka këtë tregues në 66.

Në Ballkan, kryeson Serbia, me gati 52 doza për 100 banorë, duke u renditur edhe i katërti në Europë.

Shqipëria vijon të renditet ndër 10 shtetet europiane, që kanë bërë më pak vaksinime, ndonëse pas Serbisë është e dyta në Ballkan për ritmin më të shpejtë. Rritje javët e fundit ka shënuar dhe Mali i Zi (13.6). Mbrapa janë me vaksinimin Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë- Hercegovina, që nuk kanë arritur të japin më shumë se 5 doza për 100 banorë.

Në vendet e tjera të Europës, Turqia ka administruar 28.5 doza për 100 banorë, Italia 36.5, Greqia 31.7, Kroacia 23.8.

Vaksinimi në botë dhe rezultatet

Në Botë, ecurinë më të shpejtë të vaksinimit vijon ta ketë Izraeli, me 121 doza për 100 banorë. The Guardian shkruante së fundmi se një studim i revistës mjekësore “The Lancet” gjeti se dy doza të vaksinës Pfizer / BioNTech kanë rezultuar më shumë se 95% efektive kundër infeksionit, shtrimit në spital dhe vdekjes nga Covid-19 në Izrael, vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë së tij të vaksinuar në botë.

Një dozë e vaksinës ishte pjesërisht efektive, duke ofruar 58% mbrojtje ndaj infeksionit, 76% kundër shtrimit në spital dhe 77% kundër vdekjes. Autorët e studimit në revistën mjekësore The Lancet thonë se kjo tregon rëndësinë e dozës së dytë. Studimi i tyre demonstron fuqinë e vaksinave për t’i dhënë fund dëmit të koronavirusit, thonë ata. “Këto zbulime sugjerojnë që niveli i lartë i vaksinimit mund të ndalojë në mënyrë domethënëse pandeminë dhe jep shpresë për kontrollin përfundimtar të shpërthimit të Sars-CoV-2, ndërsa programet e vaksinimit rriten në të gjithë pjesën tjetër të botës,” shkruajnë ata.

Emiratet e Bashkuara Arabe renditen të dytët në botë dhe kanë vaksinuar 108 persona për 100 banorë, Kili 78, Mbretëria e Bashkuar 74 dhe po 74 edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kili, që ka përdorur vaksinën kineze Coronavax, ka vaksinuar 78% të popullsisë. Pas një vale të fortë në mars, që erdhi si rrjedhojë e lirimit të masave dhe udhëtimeve të banorëve për pushime, vendi po tenton të hapet sërish. Një studim i paraqitur nga studiuesit në Universitetin e Kilit në 6 prill zbuloi se vaksina CoronaVac, nga prodhuesi kinez Sinovac Biotech, ishte 56.5% efektive në parandalimin e infeksioneve dy javë pas një doze të dytë. Por arriti vetëm 3% pas dozës së parë. Kjo vaksinë u përdor në 85% të totalit të vaksinimit në Kili.

Pjesa më e madhe e shteteve të botës po hapen gradualisht, me shpresë se imuniteti i tufës po arrihet gradualisht me ndihmën e vaksinave. Situata më e rënduar vijon të jetë në Indi, ku një mutacion i virusit po përhapet me shpejtësi, duke bërë që vendi të arrijë rekordin global të mbi 400 mijë rasteve në ditë dhe vdekjet t’i afrohen shifrës prej gati 4 mijë në ditë./Burimi:Monitor