OBSH: Shqetësim global rreth variantit indian të virusit

181 0

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se një variant i koronavirusit që po qarkullon në Indi përbën shqetësim global.

 “Ne e klasifikojmë atë si një variant që përbën shqetësim të një niveli global”, tha për shtypin Maria Van Kerkhove e cila kryeson përpjekjet teknike të OBSH-së për koronavirusin. “Kemi në dispozicion të dhëna që sugjerojnë përhapjen e infektimeve”.

Të dhënat e përditshme të situatës në Indi tregojnë një rënie të lehtë të rasteve por megjithatë situata është e rënduar. Zyrtarët e lartë të shëndetësisë thanë të hënën se gjatë 24 orëve të fundit vendi kishte shënuar 366,161 infektime të reja dhe 3,754 vdekje. Ekspertët e shëndetit publik thonë se besojnë se shifrat e infektimeve dhe vdekjeve janë më të larta.

Deri tani, India ka patur 22,6 milionë raste infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë infeksione më të larta se India me rreth 32.7 milionë nga 158.3 milionë të infektuar në mbarë botën. Shifrat përpunohen nga një qendër e posaçme e Universitetit Johns Hopkins.

Në Indi ka një shqetësim në rritje rreth një infeksioni “fungal” që prek pacientët e infektuar dhe ata që e kanë marrë veten nga koronavirusi. “Mycormycosis” shkaktohet nga myku dhe mund të ndikojë në strukturën e fytyrës së një personi dhe në disa raste mund të shkatojë verbëri. Pacientët me koronavirus, që vuajnë nga diabeti, përbëjnë pjesën më të rrezikuar nga ky infeksion, thanë ekspertët mjekësorë./Burimi:Top Channel