Eksportet Shqiptare të Fruta-Perimeve nga Suedia Deri në Spanjë

449 0

Një lajm i mirë për eksportet e prodhimeve shqiptare të cilat kanë rritur volumin e shitjes në tregjet ndërkombëtare.

Prodhimet e perimeve dhe frutave të stinës janë në krye të listës së eksportit të produkteve shqiptare ku vetëm gjatë muajit që lamë pas është shënuar një rritje e konsiderueshme.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi tha sot se pavarësisht situatës së krijuar me COVID-19, Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e fruta-perimeve.

Ai thekson se “vetëm gjatë muajit prill 2020 eksporti u rrit me 14.3% krahasuar me prillin e vitit të kaluar”.

Perimet e Stinës

Janë vet fermerët të cilët shprehen në lidhje me shitjen e prodimeve të tyre jashtë Shqipërisë.

“Rritjen e sasisë së eksportit ma konfirmoi edhe Rrapi Hazizi, një fermer e sipërmarrës i suksesshëm në fshatin Velmish të Roskovecit.

Ai kultivon perime në serra që prej vitit 2002, ndërsa prej 6 vitesh ka ngritur edhe një pikë grumbullimi, nga e cila ka eksportuar këto katër muaj drejt Suedisë, Francës, Rumanisë, Italisë, Serbisë, Bosnjës e deri në Spanjë, sasi më të shumta se e njëjta periudhë e vitit 2019.

Në serrën me sipërfaqe rreth 1,5 ha kultivohen disa lloje domatesh, specash etj. Ndërkohë përmes pikës së grumbullimit “Rinaldi”, ka kontrata me rreth 500 fermerë të zonës”, tha Çuçi.

Përfitimet nga IPARD

 Po ashtu, Çuçi shtoi se “për të zgjeruar sipërmarrjen e tij, ka aplikuar tek programi IPARD dhe besoj se do të jetë një nga kontratat e shumta që AZHBR do të lidhë me përfituesit e radhës.

Mbështetja e fermerëve që kultivojnë në serra dhe forcimi i pikave të grumbullimit janë pjesë e politikës sonë për të rritur prodhimin dhe zgjeruar tregjet.

Pikat e grumbullimit kanë një rol shumë të madh në disiplinimin dhe rritjen e cilësisë, sepse duke iu siguruar fermerëve shitjen e prodhimit, iu imponojnë atyre cilësinë që duhet të kenë produktet bujqësore. Përgëzime dhe punë të mbarë familjes Hazizi për sipërmarrjen e tyre”, tha ai./Marrë nga ATSH