EMA: Vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna janë efektive kundër llojit të ri indian

332 0

Vaksinat COVID-19 të prodhuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna duket se janë efektive kundër llojit të ri indian, tha të mërkurën Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

“Të dhënat e rishikuara nga rregullatori evropian mbi efikasitetin e vaksinave Pfizer/ BioNTech dhe Moderna kundër variantit të zbuluar në Indi janë inkurajuese”, tha menaxheri i strategjisë së vaksinave, Marco Cavaleri në një konferencë për shtyp.

Cavaleri ishte gjithashtu optimist se vaksinat e prodhuara nga AstraZeneca\Oxford dhe Johnson & Johnson do të mbronin njerëzit nga ky variant i ri.

Por, ai shtoi se EMA ishte në pritje të të dhënave shtesë nga India, ku po administrohet një version i vaksinës AstraZeneca.

“Deri më tani, në përgjithësi, ne jemi goxha të sigurt se vaksinat do të jenë efektive kundër këtij varianti,” tha ai.

Komisioni i BE bëri thirrje të mërkurën që 27 vendet anëtare të bllokut të ndalojnë përkohësisht të gjitha udhëtimet jo-thelbësore në dhe nga India, pas shqetësimeve për përhapjen e variantit.

Disa vende evropiane duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën tashmë e kanë kufizuar në mënyrë të ashpër aksesin për udhëtarët nga India./Burimi:Euronews