Erzeni Shpallet Kompania Më Besnike Ndaj Konsumatorit

580 0

Me një traditë 30 vjeçare në prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij, Erzeni, është kurorëzuar me çmimin “Kompania më besnike ndaj konsumatorit në Shqipëri.” 

Çmimi iu dorëzua drejtorit ekzekutiv, Erzen Begaj, gjatë mbrëmjes gala të CCIT Awards, e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Ky event i rëndësishëm, që u mbajt me rastin e 125 vjetorit të Dhomës së Tregtisë mblodhi personalitete të njohur në fushën e prodhimit, infrastrukturës, teknologjisë, financës, farmaceutikës, ndërtimit, prodhimit vendas nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. 

“Jemi krenarë për këtë çmim pasi është fryt i 30 viteve punë intensive, e bërë me përshkutim, dashuri dhe respekt për konsumatorin” ,- tha Z.Begaj, gjatë fjalimit të tij në ndarjen e çmimeve.

Erzeni, është kompania e parë në Shqipëri e prodhimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar në treg.

Investimet e saj në ruajtjen e cilësisë së produkteve të freskëta, pa bërë kompromise, arrijnë deri në 20 milionë euro. 

Megjithatë, investimet shkojnë krah më krah me fermerët me të cilët Erzeni bashkëpunon çdo ditë, për të sjellë në tryezën e konsumatorit, produkte të freskëta e cilësore. 

 “Fermerët shqiptarë, me shumë mund dhe përkushtim, arrijnë të plotësojnë nevojat për qumësht të freskët, në mënyrë që konsumatorët të përfitojnë produkte sa më cilësore dhe të sigurta”,-shtoi Begaj, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunëtorët nga 50 fshatra të Shqipërisë, të cilët çdo ditë, sjellin në fabrikë qumësht të cilësisë së parë.

Tradita e familjes, një histori suksesi 

Pasioni i kompanisë Erzeni për bulmetin ka nisur që nga viti 1992. Asokohe, familja Begaj ishte e njohur në komunitetin e Samaticës, Berat, si besnike ndaj cilësisë pa kompromis.

Në një treg kaotik sa i përket cilësisë, kërkesa e lartë për produktet Erzeni nxiti një seri investimesh të mëdha, falë të cilave, kompania arriti të mirëpritet në çdo familje shqiptare.

Edhe sot e kësaj dite, i gjithë procesi i prodhimit të një produkti Erzeni deri tek mbërritja në dyqane, kryhet jo më vonë se 24 orë nga tërheqja e qumështit nga fermerët.

Qumështi i nënshtrohet plot 20 analizave fiziko-kimike, toksikologjike dhe mikrobiologjike, që garantojnë cilësinë maksimale, me dëshirën e vetme që çdo konsumator shqiptar të ushqehet mirë dhe i sigurtë.

Kjo, për kompaninë Erzeni, është fitorja më e madhe./AgroWeb.org