Europa Mbyll Dyert Për Produktet e Modifikuara Gjenetikisht. Po Shqipëria?

412 0

Siguria është përbërësi më i rëndësishëm i ushqimit të konsumatorëve. Të bërit kompromis në lidhje me sigurinë e cilësisë ushqimore nuk hyn planet e vendeve të BE-së që kanë votuar JO ndaj rritjes së produkteve të modifikuara gjenetikisht OMGJ.

Sipas Reuters, vendet anëtare në mënyrë specifike futën në shënjestër kultivimin e misrit Monsanto’s MON 810, e vetmja kulturë OMGJ që rritet në Evropë.

Që nga viti 2014 Spanja është prodhuesi më i madh i OMGJ-ve në Evropë me 137,000 hektarë me misër të modifikuar, e barabartë me 20% të prodhimit të misrit të Spanjës.

Sasi më të vogla prodhohen në Republikën Çeke, Sllovaki, Portugali, Rumani dhe Poloni.

Parimi kryesor është se ushqimet OMGJ nuk duhet të paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut, shëndetin e kafshëve ose mjedisin.

Pikërisht për këtë arsye ushqimet duhet t’i nënshtrohen autorizimit të detyruar para daljes në treg, duke përfshirë dhe konstatimet shkencore mbi rrisqet potenciale.

Një sondazh publik i Eurobarometrit në vitin 2010 zbuloi se 59% e evropianëve besojnë se OMGJ-të nuk janë të sigurta për shëndetin e tyre.

Një shumicë edhe më e madhe, 70%, thotë se ushqimet OMGJ janë “krejtësisht të panatyrshme” dhe 61% thonë se OMGJ-të i bëjnë ata “të ndihen të shqetësuar”.

Etiketimi OMGJ, kusht për sigurinë e konsumatorit

Megjithëse OMGJ-të rriten gjerësisht në shumë vende të botës, në Evropë kjo temë është tabu.

Shumë prej vendeve të BE-së kanë ligje të rrepta përkundrejt OMGJ-ve përsa i përket ruajtjes së shëndetit publik dhe shqetësimeve mjedisore.

Të gjithë shtetet e BE-së kërkojnë etiketimin OMGJ për të gjitha produktet në shitje.

Frika e evropianëve në lidhje me OMGJ-të është e lidhur jo vetëm me faktin që BE-ja promovon fuqishëm produktet e tyre organike, por edhe sepse siguria ushqimore është në krye të listës së tyre.

Në Shqipëri ligjërisht nuk ka kultura OMGJ

Në Shqipëri, siç dhe pohojnë ekspertë për AgroWeb nuk ka kultura OMGJ. “Ose të paktën jo në mënyrë ligjore”, thotë Petrit Topi ish drejtor i Entit Shtetëror të farave.

“Ligji nuk i lejon, por edhe fakti që ne aktualisht nuk kemi një laborator për të bërë inspektimet, bën që mos t’i lejojmë në parim këto fara OMGJ”. Ndërkohë sipas ligjit Nr: 9863 etiketimi i OMGJ-ve duhet të bëhet vetëm për ushqimin e kafshëve.

Por ndërsa Shqipëria po përshkon rrugën drejt Bashkimit Evropian, rregullat edhe për vendin tonë në këtë pikë do të jenë gjithnjë e më të forta.

Nëse ky propozim i Komisionit Evropian do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi derisa Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian, vendi do të ketë të drejtën që të ndalojë ose të lejojë përdorimin e OMGJ-ve./AgroWeb.org