Fabrika në Dibër, Kontrata me 200 Fermerë për Grumbullimin e Qumështit

571 0

Fabrika e përpunimit të qumështit “Ngota 2010” është një tjetër shembull domethënës i sipërmarrjeve private të njerëzve të zakonshëm që rritet dhe zhvillohet falë mbështetjes së shtetit, e cila ka lidhur kontrata për blerjen e qumështit me rreth 200 fermerë të Dibrës, të cilëve do t’u ofrojë një perspektivë të re zhvillimi, edhe përfundimi i Rrugës së Arbrit.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama teksa publikoi pamje nga puna që bëhet në këtë punishte, të cilën e vizitoi nga afër edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi.

“Nga një punishte me kapacitet të vogël dhe me linjë përpunimi të vjetër pas grantit rreth 20 milionë lekë të qeverisë shqiptare përmes AZHBR, sot është një fabrikë me teknologji moderne dhe kapacitete shumë herë më të mëdha”, – tha Rama.

Shemsi Ngota, pronari i fabrikës shprehet se “punishten e qumështit në Peshkopi, e kam hapur në 2010 kemi punuar me kapacitete nga 3 kuintalë qumësht, u shtua prodhimi dhe kisha nevojë për ndihmë nga shteti”.

“Në 2018 bëra një aplikim tek AZHBR, pasi kisha nevojë për zgjerim, u pranua aplikimi dhe mora një ndihmë financiare, 20 milionë lekë të reja. Kam pasur dy dhoma frigoriferike me qira në një vend tjetër, sot jam me kushte të kohës”, – theksoi Ngota.

Pronari i fabrikës, Ngota, tha se “pasi kam bërë këtë investim janë shtuar edhe fermerët, punojnë sot me mbi 200 fermerë në rrethin e Peshkopisë”.

“Me ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të jemi më të sigurtë në treg”, – shtoi ai./ATSH