Rritën Çmimet për Maskat dhe Dezifektantët

254 0

Autoriteti i Konkurrencës gjobiti në total me 34 milionë lekë 24 depo farmacish të tregtimit me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore (maska, alkool, xhel dezifektant) për rritje në mënyrë të pajustifikuar të çmimeve, duke mos zbatuar masat e përkohshme të Autoritetit në muajin mars 2020.

10 prej depove farmaceutike u gjobitën njëkohësisht edhe për mosdhënien e informacionit të kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës.

Komisioni i Konkurrencës bën të ditur se, në datën 18 mars 2020 vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.

Emergjenca Shëndetësore 

Në kushtet e emergjencës shëndetësore, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore (dezinfektant, alkool dhe maska), Komisioni vendosi si masa të përkohshme detyrimin e të gjitha ndërmarrjeve që veprojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të materialeve paramjekësore të jenë transparente në vendosjen e çmimit të shitjes së materialeve dezinfektant, alkool dhe maska, si dhe aplikimin e çmimeve të orientuara drejt kostos dhe publikimit e tyre në faqet zyrtare të internetit të ndërmarrjeve apo në kanalet e tjera të komunikimit.

Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve gjatë periudhës shkurt-maj 2020 në tregun e tregtimit me shumicë të materialeve maska, alkool dhe xhel-dezinfektant, konstatohet se ato kanë vazhduar të rrisin në mënyrë të pajustifikuar çmimet, duke mos zbatuar masat e përkohshme të Autoritetit.

Në përfundim të hetimit paraprak, Autoriteti vendosi gjithashtu detyrimin që të 24 ndërmarrjet nën hetim të mos bëjnë marrëveshje dhe praktika të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg.

Autoriteti i Konkurrencës Nis Hetimin 

Ndërmarrjeve iu ndalohet shprehimisht të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; të kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

Njëkohësisht, Autoriteti vendosi hapjen e hetimit të thelluar në tregun në fjalë, hetim që do të përfshijë periudhën 1 nëntor 2019-1 shtator 2020.

Po sot, Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi ndërmarrjen “Megapharma” të furnizojë me vaksinën kundër gripit të gjitha depot dhe farmacitë në vend dhe jo vetëm rrjetin e farmacive “Orange”, që kontrollohet prej saj.

Nëse Megapharma nuk e zbaton masën e përkohshme të vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës, ajo rrezikon gjobë deri në 10% të xhiros vjetore, për shkelje të rëndë të konkurrencës./ATSH