Filmi i Rikthehet Kinemasë – Rregullat që Duhet të Ndiqni Për të Qenë Të Sigurtë

794 0

Ky është lajmi më i gëzuar që mund të dëgjonit së fundmi. Nga 22 Tetori, kryeqytetit i rikthehet salla e kinemasë dhe kjo, as me shumë e as më pak, por në zemër të Tiranës, në “Kinema Millenium”. Nuk do të rendisim këtu të gjitha avantazhet e të pasurit një sallë kinemaje në mes të qytetit, lehtësisht të aksesueshme pa pasur nevojën e asnjë mjeti transporti, sepse preferojmë të fokusohemi tek filmat në program, që aq shumë na kanë munguar.

Kinemaja njihet si i pari medium i komunikimit që nga shekulli i kaluar, e në të njëjtën kohë, ambient socializimi e grumbullimi, arsye për të cilën edhe u vendos të pezullohej gjatë muajve të pandemisë. E panevojshme të theksojmë boshllëkun që mungesa e saj krijoi në jetën shoqërore dhe kulturore gjatë kësaj kohe.

Por nga data 22 tetor, kushdo që ndodhet në Tiranë mund t’i rikthehet emocioneve të pazëvendësueshme që dhuron ekrani i madh dhe me protokollin e ri të sigurisë në “Kinema Millenium”, të mund të ritakohet me Robert De Niro-n, John D. Washington-in, Robert Pattinson-in, Uma Turman-in, etj.

Por çfarë parashikon protokolli i sigurisë?

Ambiente të dezinfektuara pas çdo projeksioni.

Matje elektornike të temperaturës në hyrje të kinemasë.

Ruajtjen e distancës sociale prej 1.5m për klientët pa lidhje familjare.

Mbajtja e maskës nga klientët dhe nga personeli gjatë gjithë kohës që janë në mjediset e brendshme të kinemasë.

Ndalimi i konsumimit të ushqimeve në ambientet e brendshme dhe sallën e kinemasë.

Në programacion

Tri zgjedhje të përsosura kinematografike, për të gjithë grupmoshat dhe shijet, për të festuar rikthimin e filmit në kinema: “Tenet”, “The war with Grandpa” dhe “Onward”.

Njësoj si ne që mezi presim t’i rikthehemi sallës, ashtu edhe dalja në kinema e filmit “Tenet” në Britani, aty ku ishte vendosur të mbahej premiera botërore, është shtyrë tri herë për shkak të situatës, duke u shfaqur për publikun vetëm më 26 gusht 2020. Thrilleri që gërsheton fantashkencën me spiunazhin, konsiderohet kështu, i pari produksion hollivudjan që është shpërndarë në sallat e kinemave nëpër botë pas mbylljes së detyruar nga pandemia. Njësoj në vendin tonë, ai do të bëhet filmi i parë që do të shfaqet për publikun në “Kinema Millenium”.

“Lufta me gjyshin” (“The war with grandpa”), është një tjetër rikthim, ai i të madhit De Niro në lojë. Ndërsa më të vegjlit do të shijojnë filmin e animuar, aventurë, “Onward” – përtëj magjisë. Historia e dy vëllezërve adoleshentë, është e ambientuar në një botë imagjinare ku dragoj dhe krijesa të tjera fantazie qarkullojnë të lirë nëpër qytet dhe e gjithë kjo, duket normale. Por atyre u duhet edhe pak magji, për të rikthyer në jetë, vetëm për një ditë, babain e humbur. Nxitjet për reflektim dhe pyetjet që shtron filmi janë të shumta: si kapërcehet një humbje apo një mungesë? A duhet ta fshehim anën tonë fëmijnore duke u rritur, apo ekzistojnë zgjidhje të tjera më frymëzuese për jetën tonë. Si mund të ekuilibrohet progresi me qëndrueshmërinë dhe rrënjët tona? Si do të zhvillohet kjo histori, mund ta zbulojmë vetëm në “Kinema Millenium”.

Këta janë filmat e parë në program por shumë të tjerë, nga më të fundit, do të pasojnë në muajt në vijim, siç na konfirmuan përfaqësuesit pranë Kinema Milenium.

Zgjidhni vendin tuaj në sallë

Me gjashtë projeksione në ditë, që fillojnë nga ora 11.00 e paradites dhe përfundojnë me shfaqjen e fundit në orën 21.00, “Kinema Millenium” rikthehet me kapacitet të plotë në shërbim të publikut.

Ju kujtojmë se mund të rezervoni vendin tuaj duke telefonuar në numrin e posaçëm +355697856678 por edhe online, në faqen web, në këtë rast, sugjerojmë të paraqiteni në sportel 20 minuta përpara fillimit të filmit. E nëse jeni spontanë dhe pa plane, atëherë biletën e gjeni direkt në sportel./AgroWeb.org