Histori Suksesi Nga Projekti Ndërkufitar Mes Maqedonisë Së Veriut Dhe Shqipërisë Prezantohen Në Panairin Përmbyllës Në Dibër.

660 0

20 agrobiznese të zonës së Dibrës në të dy anët e kufirit, sot janë më të përgatitur për t’u përballur me tregun europian dhe atë botëror falë asistencës së marrë nga projekti i financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Creative Business Solutions së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Komunën Dibër. Bëhet fjalë për projektin 2 vjeçar “Dibër – Debar, Përshpejtojmë Zhvillimin e Bujqësisë” sukseset e të cilit u prezantuan në formën e një panairi në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” në Peshkopi.

Model për pjesën tjetër të zonës, i quajti sekretari i Komunës së Dibrës së Madhe, z. Ylli Mrizo arritjet e shënuara nga agrobizneset e prekura nga ky projekt, në fokus të se cilit ishin “Standardet Bujqësore, Çertifikimet, Ndërtimin e Kapaciteteve për Përthithjen e Financimit dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë”.

“Shpresoj që në të ardhmen këto Agrobiznese të cilat sot vijnë si modele suksesi pranë nesh të jenë shembull për fermerët e tjerë dhe uroj që të kemi sa më shumë projekte të tjera produktive si ky që sapo mbyllëm, mes dy shteteve fqinje.”

Ndërthurja e çertifikimit të produkteve me standarde europiane, me plane biznesi e marketingu “të qendisur” sipas potencialit dhe mundësisë së seicilit prej agrobizneseve, është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, sipas znj. Fotjona Tace, menaxhere e projektit, njëkohësisht përfaqësuese e partnerit lider në zbatim, Creative Business Solutions.

“Mbi 20 agrobiznese sot kanë produkte më cilësore dhe të aksesueshme nga konsumatorët. Certifikimet rrisin potencialin e shitjeve dhe të ardhurave të agrobizneseve që përfituan nga projekti ynë, duke i mundësuar atyre shtrirjen përtej kufijëve rajonal, tek ato Evropian e më gjerë. Me ndihmën e Delegacionit Europian në Shkup, ne arritëm të krijonim histori suksesinë të dy anët e kufirit, si dhe të sillnim impakt në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së përbashkët rajonale për vijimin e një bashkëpunimi të shkëlqyer mes dy vendeve fqinje”

Aktiviteti vijoi me takime biznesi mes fermerëve, agropërpunuesve dhe përfaqësuesve të rrjeteve të mëdha të supermarketeve në Shqipëri duke krijuar hapësirë për mundësi bashkëpunimi profesional mes tyre./AgroWeb.org