Impianti i parë fotovoltaik lundrues në liqenin e Vaut të Dejës

561 0

Shqipëria është në rrugën e duhur në realizimin e objektivave për energjinë e rinovueshme me ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues prej 12.9 MV në sajë të një huaje prej 9.1 milionë euro të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), impianti i parë fotovoltaik lundrues i këtyre përmasave në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.

Impianti do të ndërtohet mbi rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës i cili zotërohet nga KESH dhe përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në inovacionin e teknologjisë së gjelbër duke përdorur burimet e pasura diellore të Shqipërisë dhe shmangur përdorimin e terreneve të kufizuara tokësore

Huaja e BERZH do t’i ofrohet një mjeti të specializuar të KESH që do të përdoret për ndërtimin e projektit. Ajo është financimi i parë i këtij lloji nga një institucion financiar ndërkombëtar dhe do të kontribuojë në komercializimin e KESH, një nga kompanitë shtetërore më të mëdha në Shqipëri.

KESH zotëron tre hidrocentralë të mëdhenj me një kapacitet total prej 1350 MV që përbëjnë rreth 70 për qind të prodhimit të gjeneruar në vend. Impianti i ri fotovoltaik lundrues do të ndikojë në minimizimin e riskut të KESH ndaj ndryshimeve hidrologjike si pasojë e atyre klimaterike dhe riskut sezonal.

Projekti shpalos ambicien e Shqipërisë për të zhvilluar kapacitetet e saj diellore në vijim të dy tenderimeve të suksesshme të mbështetura nga BERZH që kanë sjellë tarifa shumë konkuruese; 140 MV në Karavasta dhe 100 MV projekti i Spitallës.

BERZH ka mobilizuar gjithashtu 315 830 euro për asistencë në përgatitjen e projektit të gjelbër dhe skemës së zbatimit me mbështetjen e qeverisë austriake (Fondi DRIVE) dhe Fondit për Bashkëpunim Teknik Biznesi Taivan-BERZH.

Francesco Corbo, drejtor rajonal i BERZH për Energjinë në Ballkanin Perëndimor tha: “Ne jemi të lumtur të mbështesin këtë projekt, i cili është një hap i rëndësishëm në nismën e suksesshme të Shqipërisë për të rritur kapacitet diellore dhe përmirësimin e burimeve të energjisë. Është unik falë teknologjisë së tij inovative, impaktit pozitiv ekologjik dhe logjikës tregtare. Projekti ka gjithashtu potencial të replikohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një rajon i pasur me rezervuarë hidrikë artificialë. Kjo është mundësia jonë e parë përsa i përket financimit të impianteve lundruese fotovoltaike dhe jemi të gatshëm të mbështesin projekte të tjera të ngjashme në të ardhmen.”

Besjan Kadiu, drejtor i KESH, u shpreh se “projekti është i një rëndësie të veçantë për KESH. E pozicionon kompaninë si kontribues për Shqipërinë dhe iniciativat globale për sa i përket gjenerimit të energjisë së rinovueshme me përdorimin e teknologjisë inovative fotovoltaike në përputhje me gjenerimin e energjisë hidrike. Edhe pse me përmasa modeste, projekti mbart mundësi jo vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të gjenerimit nga asetet publike mbi baza të forta teknike, tregtare dhe mjedisore, por evidenton njohuritë dhe eksperiencën që nevojitet për drejtimin e një sistemi hidrovoltaik. Ky është një tjetër shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit midis BERZH dhe KESH”.

BERZH është një investitor lider institucional në Shqipëri. Deri më sot ka investuar më shumë se 1.5 miliardë euro në 110 projekte në vend./Burimi:ATA